Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha është shtruar në spital për shkak të koronavirusit (COVID-19), ndërsa klubi italian raporton se 31-vjeçari është dërguar në klinikën e Konas.
“S.P.A.L. srl njofton se pas pozitivitetit për koronavirus, të konfirmuar të premten e 27 nëntorit, në orët e kaluara portieri Etrit Berisha u shtrua në departamentin e specializuar të Covid-19 të spitalit Cona për të kryer analiza klinike”, – thuhet në deklaratën zyrtare, në faqen e internetit të klubit Italian të futbollit, që militon në Serie B këtë sezon.
Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar rrjedhën e infeksionit. Aktualisht, detajet e situatës mjekësore të Berishës nuk dihen, por mediat italiane sqarojnë që arsyeja e shtrimit në spital është kryesisht si një masë paraprake.
Lojtari ishte vendosur në karantinë paraprake 19 nëntorin e kaluar, pasi u kthye nga angazhimet me ekipin kombëtar shqiptar, për shkak të kontakteve me Elseid Hysaj, i cili rezultoi pozitiv. Pavarësisht se tamponi rezultoi pozitiv, SPAL ka preferuar të mos rrezikojë, duke shmangur kështu çdo kontakt me pjesën tjetër të ekipit për portierin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




