Paraqitja e Shkëndijës së Tetovës në kupat e Europës këtë verë është mjaft zhgënjyese. Humbja në shtëpi me Nome Kalju të Estonisë në Ligën e Kampionëve u quajt rastësi, por skuadra e trajnerit Osmani ka zhgënjyer edhe në Ligën e Europës, përballë Dudelanzh të Luksemburgut. Një tjetër humbje, po me rezultatin 1-2, bën që tetovarët të rrezikojnë shumë seriozisht eliminimin edhe nga ky kompeticion.
Edhe këtë herë Shkëndija shënoi me penallti, me të zakonshmin Agim Ibraimi. Kishin kaluar vetëm 7 minuta lojë për avantazhin e skuadrës shqiptare dhe u duk se gjithçka do të shkonte në favor të saj, por ndeshja u përmbys në pjesën e dytë. Një dorë në përmbysjen e ekipit nga Luksemburgu e dha edhe portieri i Shkëndijës, Rexhepi, i cili bëri disa gabime, por më flagranti ishte ai i golit të barazimit të miqve, kur doli huq dhe i dha mundësinë sulmuesit të Dedelanzh të shënonte. Vetëm 4 minuta më pas tetovarët pësuan edhe golin e dytë me penallti dhe, edhe pse kishin në dispozicion edhe më shumë se 20 minuta, nuk mundën të paktën të barazonin.
Shkëndijës i duhet një mrekulli në ndeshjen e kthimit, ku duhet të fitojë me dy gola diferencë për t’u kualifkuar në turin e tretë të Ligës së Europës. Eliminimi i mundhëmë që në turin e dytë do të ishte një zhgënjim shumë i madh për këtë skuadër, që tashmë është ftohur edhe me tifozët e saj, ndërsa trajneri Osmani rrezikon shkarkimin. Nëse kualifkkohet në turin e tretë, Shkëndija do të ndeshet me humbësin e çiftit Selltik-Nome Kalje, por ka pak shanse që tetovarëve t’u jepet shansi për hakmarrje, sepse ishte pikërisht ekipi estonez që i hoqi nga Championsi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.