Trashëgimi

Porti i ri në Durrës po zhduk monumentin ‘Muret e Portës’, arkeologu Baçe: Askush nuk dënohet kur dëmton kulturën

Nga Gazeta 'Si'-“Muret e Portës” që ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në Porto Romano, fare pranë portit të karburanteve që në krye të herës u ndërtua për të mbrojtur qytetin prej një sulmi të mundshëm nga veriu, duke shfrytëzuar afërsinë e detit me kënetën, po degradon çdo ditë.

Edhe pse “Muret e Portës” rezultojnë te Monumentet e Kulturës, ky monument ndodhet në gjendje të mjerueshme, duke e lënë edhe jashtë vëmendjes së vizitave turistike.

Së fundmi ky monument është përfshirë mes 11 monumenteve më të rrezikuara në Europë nga organizata Europa Nostra. Zëri i Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Trashëgimisë në Europë arriti në këtë konkluzion pas analizës së ekspertëve për gjendjen e Monumentit Arkeologjik të kategorisë së parë, por edhe duke i dhënë prioritet për shkak të rëndësisë që ka për trashëgiminë e vendit.

Presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger do të deklaronte gjatë takimit se monumentet e përzgjedhura të trashëgimisë janë të kërcënuara nga shembja, zhvillimi i papërshtatshëm, ndikimi shkatërrues i fatkeqësive natyrore, neglizhenca dhe mungesa e financimit.

Arkeologu Apollon Baçe thotë për Gazetasi.al se nga ky monument kulture i Kategorisë së I pothuajse nuk ka mbetur më asgjë, pasi tashmë nga 180 metra që ai mur ishte kanë mbetur vetëm 40-50 metra, ndërsa shtoi se kishte rëndësi të veçantë për historinë e qytetit.

"Nga ky monument kulture i Kategorisë së I pothuajse nuk ka mbetur më asgjë", citon Baçe

Sipas tij për shkatërrimin e tij nuk janë zbatuar ligjet për mbrojtjen e monumenteve historike.

“Nuk ka më monument nga 180 metra që ishte muri kanë mbetur as 60 metra pasi i ka zhdukur firma. Nuk ka më çfarë të rrezikohet muri që ishte ka mbetur një pjesë e vogël 40-50 pjesa tjetër është zhdukur komplet. Kanë kaluar 2 vite dhe monumenti është zhdukur komplet, është ngrënë 120 metra mur nga firma kur në fakt mund të ishte një aset shumë i bukur për portin. Që në vitin 2021 filluan punimet në Porto Romano. U bënë të gjitha denoncimet e mundshme në polici, por në gjykatë e ministri nuk çau kokën absolutisht asnjëri. Ky është një nga rastet më të shëmtuara që ekzistojnë. Është një nga monumentet që në 1948 dëften sa ka qenë toka bujqësore, është një nga 6 muret barrierë në të gjithë botën pra ne kemi zhdukur diçka që i takonte të gjithë njerëzimit dhe jo vetëm neve”, shprehet arkeologu.

Arkeologu Baçe vijon më tej se gjithë shkatërrimi ka ardhur nga punimet e kryera nga kompania koncesionare që po ndërton një port hidrokarburesh dhe mallrash në Porto-Romano. Ai shton se duke qenë se është shpallur monument i kategorisë I, atëherë çdo lloj ndërhyrje është në kundërshtim me ligjin, edhe pse institucionet përgjegjëse bënë një sy qorr ndaj rrezikut që i kanosej atij.

“Nëpërmjet punimeve me makineri të rënda (ekskavator, buldozer, kamione tonazhi të rëndë) u shkatërruan nën nivelin e rrafshit të tokës 78 metrat perëndimore të murit mbrojtës, nga kulla kuadratike e deri në det. Paksa më tepër se gjysma e gjatësisë së tyre (140 m).  Është dëmtuar ndjeshëm gjysma lindore, duke ia zhdukur gjurmët elementit kryesor të fortifikimit, Portës së Hyrjes dhe harqeve të saj. Janë zhdukur plotësisht gjurmët e akropolit dhe murit që kthehej drejt tij. Faqja jugore paraqitet e mbuluar mbi nivelin e themelit. Është shkatërruar shtresa kulturale. Tërë këto veprime janë në kundërshtim të hapur penal me ligjin”, vijon më tej akademiku Apollon Baçe.

Ai ndër të tjera thekson faktin se duhet zbatuar ligji për mbrojtjen e monumenteve, pasi ky monument nëse nuk do i nënshtrohej shkatërrimit nga njeriu do të kthehej në një nga atraksionet turistike më të vizitueshme të Durrësit, pas Amfiteatrit Antik dhe Muzeut Arkeologjik.

“Ndërhyrjet e paligjshme nisën në nëntor/dhjetor të vitit 2021. Drejtori i DRTK Tiranë, e cila ka në ngarkim monumentin, ka vënë në dijeni për këtë Ministrisë e Kulturës, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Durrës, si edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ndërhynin për të ndaluar punimet që po kryheshin në Zonën e Mbrojtur dhe monumentin e kategorisë parë ‘Muret e Portës’. Prokuroria e Durrësit shpjegoi se ka regjistruar procedimin penal me numër 1755/2020 dhe po vijon hetimin për veprat penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’. Duhet zbatuar ligji për mbrojtjen e monumenteve. Krahas vlerave lokale turistike, dhënies së një panorame të qartë topografike të qytetit, muri kishte vlera edhe për historinë e arkitekturës ushtarake, si një nga rastet e pakët të mureve barrierë (në antikitetin e vonë rreth 5 të tillë)  për mbrojtjen pjesore të qyteteve. Në këtë kuptim rëndësia e tij është tejnacionale. Si i tillë ky element meritonte kujdesin maksimal për ta kthyer në një aset të portit të ri”, thotë ndër të tjera arkeologu Apollon Baçe.

Sipas tij në vendin tonë nuk respektohet kultura dhe nuk dënohesh kur e dëmton atë, pavarësisht se për monumente të tilla ka edhe vlerësime nga arkeologë të huaj.

"Kompania private duhet të dalë në gjyq dhe të përgjigjet pse e ka bërë këtë gjë. Çfarë e dëmtonte atë, ky mur i arkitektit brenda në skelë, ndërsa ai e merr dhe e zhduk dhe nuk i bëjnë asgjë. Nëse ligji është ligj, atëherë dhe zbatohet ligji. Kur ti e shpall monument të kategorisë së parë ajo mbrohet me ligj dhe po e preke dënohesh. ‘Muret e Portës’ ka lënë mbresa edhe tek të huajt. I pari që shkruan për të në shek 19 është Leon Heusey që tregon për një mur 200 m të gjatë. 

Më tej, gjatë Luftës I Botërore arkeologët Prashniker dhe Shoberi. Sipas tyre muri ishte i pajisur me kulla kënddrejtë të vendosura në largësi të barabarta, ndërsa prej këndit perëndimor të tij një mur tjetër ndiqte konturin e kodrës nga ana e detit deri në lartësinë 80 m2”, përfundon arkeologu Apollon Baçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë