Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe i pyetur nga mediat lidhur me deklaratën e ministrit Ervin Hoxha se dezinformimit rus i janë shtuar edhe portale në gjuhën shqipe, tha se është e vështirë për të identifikuar se kush qëndron pas këtyre portaleve.
Braçe evidentoi si problem boshllëkun ligjor për të vepruar kundër këtyre ndërhyrjeve të huaja dhe shtoi se aktualisht Shqipëria nuk ka instrument që të merret me portalet që kanë origjinë ruse por janë në gjuhën shqipe.
Gjithashtu ai tha se është e vështirë për të kuptuar kush qëndron pas tyre.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit bëjnë me dije se janë në boshllëk të plotë ligjor për të vepruar për ndërhyrjet e huaja që përdorin dezinformimin për të goditur institucionet apo për të krijuar ndarje të qartë në shoqëri. S’ka bazë ligjore për të vepruar në të tilla raste.
E dyta, ka krijuar një problem të madh informaliteti veçanërisht në adresat e përdorura në rrjetet sociale dhe internet.
Adresa që funksionojnë si ofrues shërbimi mediatik, të lajmeve, apo mungesa të identifikimit të drejtuesve të atyre që janë vërtetë media e që janë portale. Shumë e vështirë në rastin e dezinformimit për t’i identifikuar se kush është pas këtyre portaleve. Jemi në dijeni të qartë të portaleve në gjuhën shqipe por që kanë origjinë Rusinë dhe vende të tjera keqdashëse.
S’ka instrument që të adresojë problematikën e këtyre portaleve. S’ka instrument që të merret me portale që kanë origjinë ruse dhe që janë në gjuhën shqipe. Problemi i madh mbetet dezinformomi i brendshëm, nuk janë formale dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ata që thonë”, deklaroi Braçe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




