Gazeta Si – SPAK ka kërkuar këtë të premte dënimin me burgim të përjetshëm për Aurel Hoxhallarin, i njohur edhe me emrin Altin Hoxhallari, si porositës i vrasjes së Devi Kasmit në 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.
Hoxhallari po gjykohet në mungesë për shkak se ndodhet në arrati, teksa më herët është dënuar me burgim të përjetshëm speciali grek Eftimius Eftimiu, si ekzekutor fizik i Kasmit. Me 33 vjet burgim u dënua bashkëpunëtori tjetër i tij, Elton Halipaj.
SPAK ka kërkuar një dënim të përjetshëm për vrasjen, 2 me nga 15 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe trafik droge, një 20 vite burg për prodhim dhe shitje droge, një tjetër 12 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe 8 vite për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Duke aplikuar nenin 55 të Kodit Penal, kërkohet një dënim i unifikuar me burgim të përjetshëm.
SPAK kërkon që vuajtja e dënimit të bëhet në një burg të sigurisë së lartë dhe të fillojë nga dita e ndalimit të tij.
Sipas hetimeve, rezulton se Hoxhallari ka kontaktuar specialin grek për të kryer atentatin dhe përgatitja e ngjarjes ka marrë disa muaj.
Atentati ndodhi në 29 janar 2018, teksa Eftimius Eftimiu bashkë me Elton Halipajn i kanë bërë pritë Devi Kasmit, pranë banesës së tij dhe me pas u larguan me furgon të bardhë, i cili ishte çelësi i zbardhjes së ngjarjes.
Pas sekuestrimit të furgonit, policia gjeti në të gjurmë ADN-je të shtetasit grek dhe nëpërmjet një kontratë shitje, u arrit te personi tjetër, Elton Halipaj, edhe pse të dy kanë mohuar akuzat para drejtësisë
Për këtë ngjarje, janë vënë nën akuzë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal ish-speciali grek, Efthimios Efthimiu, si ekzekutori i Kasmit, Aurel Hoxhallari alias Altin Hoxhallari, Elton Halipaj, Marvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Marjo Meshini.
Hoxhallari, ishte arrestuar edhe më 10 janar të vitit 2015 së bashku me kushëririn e tij Amarildo Hoxhallari, si porositës të dyshuar për atentatin ndaj Pajtim Serjanit, ngjarje e ndodhur më 5 janar 2015 në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë.
Por, më 1 shkurt 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda i la ata të lirë për mungesë provash. Ndërkohë që SPAK kërkoi burg përjetë, i akuzuari vijon të jetë në arrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.