Drejtësia

Porositi 137 kg kokainë nga Ekuadori në Durrës, Apeli lë në fuqi vendimin për Gentian Malindin

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së, ka lënë në fuqi dënimin me 8 vite e 8 muaj burg për Gentian Malindin, si porositës i ngarkesës prej 137 kg kokainë që u kap në vitin 2019 në Portin e Durrësit. Gentian Malindi u arrestua në tetor të vitit 2022 pas 3 vitesh në arrati.

Malindi u fajësua për veprat penale të “trafikut të narkotikëve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”. Malindi, i cili u arrestua në fund të vitit të kaluar, është dënuar me 13 vite burg nga GJKKO. Por duke qenë se Malindit i është pranuar kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë dënimin me 8 vite dhe 8 muaj burg.

Droga për të cilën akuzohet Malindi, u kap nga autoritetet greke në Portin e Pireut, ndërsa ngarkesa u zëvendësua me oriz.

Zyra e DEA-s amerikane në Athinë, bashkë me autoritetet greke, ndoqën itinerarin e kontejnerit, duke përfunduar në Portin e Durrësit.

Për këtë, u arrestuan Altin Myslihaka, i cili u dënua me 10 vite burg dhe Ardian Bega, i dënuar me 8 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar.

Myslihaka dhe Begaj, me anë të një çante nxorën 22 pako që ata mendonin se ishte kokainë, por nga ana tjetër rezultoi se me dorëzim të kontrolluar, ishte lëndë e përzier kokainë e me oriz, pasi nga Porti i Pireut në Greqi, hetuesit grekë dhe ata shqiptarë kishin vendosur të bënin një truk, duke i vendosur ngarkesës dhe GPS.

Ka qenë Myslihaka dhe Begaj që nën drejtimin e Malindit kanë kryer veprimet në Portin e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë