Zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë së Posaccme, SPAK, Altin Dumanit u ndoq me një interes të jashtëzakonshëm nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila ndoqi nga afër procesin pak përpara votimit.
Zgjedhja e Dumanit, sakaq u shoqërua edhe me një deklaratë zyrtare nga ana e vetë ambasadës, e cila ka lënë edhe “porositë” e para ndaj kreut të SPAK.
“Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.
Deklarata vijon me mesazhin se “puna e SPAK duhet të vazhdojë të demonstrojë se askush nuk është mbi ligjin”.
“Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore”, thuhet më tej në deklaratës së ambasadës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka falenderuar ish-kreun e SPAK, Arben Krajën për punën e kryer, duke deklaruar se ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




