Ata kanë sy të mëdhenj, të buzëqeshur, veshë të dalë dhe flasin me gjallëri si një fëmijë shtatë vjeç. Disa kanë fustane rozë dhe gërsheta, të tjerë këmisha blu dhe një papijon. Por nuk janë nipërit e zakonshëm. Ata përbëhen nga pambuku e metali, funksionojnë me Inteligjencë Artificiale dhe janë përgjigjja ndaj krizës së shëndetit mendor të gjyshërve të Koresë së Jugut.
Çdo ditë vetëvriten mesatarisht 10 të moshuar në Korenë e Jugut.
Shifra është rezultat i një raporti të publikuar në qershor të vitit 2025 që ngre një alarm në Azinë lindore. Vende si Japonia dhe Hong Kongu kanë raportuar rritjen e numrit të vetëvrasjeve te mosha e tretë. Situata në Korenë e Jugut është shqetësuese për autoritetet sepse ka numrin më të lartë në listën e vendeve të zhvilluara dhe brenda OECD (Organizata e Bashkëpunimeve Ekonomike dhe të Zhvillimit).
Kjo hapi dyert për kompani si Hyodol, një platformë IA që është vendosur brenda një roboti si kukull e cila u jepet të moshuarve që jetojnë vetëm. Roboti është i lidhur me një aplikacion në celular dhe një platformë për monitorimin që u jepet anëtarëve të familjes ose kujdestarëve.
Sistemi ka qëllim të dyfishtë. Roboti jep ndihmë praktike sepse i kujton të moshuarit për të pirë ilaçet apo sinjalizon në raste emergjence, kurse punonjësit socialë mund të fusin të dhëna pa qenë nevoja të paraqiten. Përfitimi më i madh mund të jetë emocional.

Roboti është krijuar si një kukull rreth 50 centimetra që reagon ndaj prekjes në kokë apo kapjes së dorës. E folura me IA që ka tonin e një shtatëvjeçari mund të prodhojë muzikë, bisedë dhe ushtrime konjitive. Veçoria më e fuqishme mund të jetë më e thjeshta: përshëndetja sapo i moshuari hyn në shtëpi: “Gjysh/gjyshe, të kam pritur gjithë ditën.”
Shoqëria ‘e moshuar’ është një krizë e vërtetë”, thotë Othelia E Lee, profesoreshë e punës sociale në Universitetin e Karolinës së Veriut në Charlotte, e cila ka hulumtuar izolimin social midis të moshuarve në Korenë e Jugut.
Vendi klasifikohet si një shoqëri “super-moshë” dhe ka më shumë se 10 milionë njerëz të moshës 65 vjeç e lart.
“Tani, ata përfaqësojnë një të pestën e popullsisë së vendit,” thotë Lee. “Kjo ndodhi aq shpejt sa qeveria koreane nuk pati kohë për të ndërtuar sistemin e duhur të pensioneve dhe mbështetjes. Lënia e tyre në luftë nuk është një opsion.”
Të moshuarit koreanë po përballen me një gjendje të paprecedentë: transformimi i shpejtë ekonomik i vendit ka shkaktuar një ndryshim thelbësor në strukturën tradicionale shoqërore të vendit.
“Tani kemi më pak familje me shumë breza dhe më pak mbështetje familjare, duke lënë një në tre të moshuar të Koresë së Jugut të jetojnë vetëm,” shpjegon Lee. “Ky izolim nxit drejtpërdrejt tendosjen financiare, vetminë e thellë dhe ndjenjën e të qenit një barrë, kushte që lidhen drejtpërdrejt me depresionin dhe vetëvrasjen.”
Deri në nëntor 2025, janë dërguar rreth 12 mijë robotë Hyodol për të moshuarit që jetojnë vetëm, të shpërndarë përmes programeve të qeverisë dhe mirëqenies publike. Rreth 1 mijë të tjera janë blerë nga familjet. Çmimi i një kukulle është afërsisht 879 dollarë.

Një punonjëse sociale që ka folur anonimisht për CNN, thekson se roboti ka arritur të ndërtojë lidhje të forta me përdoruesin duke lehtësuar ndjesinë e vetmisë. Njëkohësisht janë raportuar raste kur të moshuarit janë kujdesur për robotin si për nipërit duke u blerë rroba apo duke i mbuluar në shtrat.
Por kjo ka ngritur pyetje etike për varësinë emocionale dhe zbehjen e dinjitetit e autonomisë. Ekspertët theksojnë se Hyodol duhet të jetë një mjet mbështetës, jo zëvendësues i kujdesit njerëzor.
Kompania po përgatitet për tregun e gjerë dhe prezantimin komercial në 2026.
Sido të jetë trajta e tyre, shoqëruesit me IA mund të bëhen më të shpeshtë. Tregu botëror për kujdesin ndaj të moshuarve pritet të arrijë në 7.7 miliardë dollarë në 2030.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



