Nga Gazeta ‘Si’– ‘Ka apo s’ka Kuvend’- është pyetja që është ngritur prej do ditësh në Kosovë, prej se kryeparlamentari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive më 30 gusht.
Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, vetëm katër prej tyre janë zgjedhur- tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe – ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme.
Ndërkohë, formula e Kushtetutës dikton që duhen pesë nënkryetarë që Kuvendi të konsitutohet.
Në këtë situatë, opozita e cila pret zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, akuzon kryeministrin në detyrë Albin Kurtin për zvarritje të procesit dhe vakum insititucional prej disa muajsh.
Sipas Memli Krasniqit, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kurti dhe Vetëvendosja e kanë bllokuar Kuvendin duke e lënë Kosovën në nyje politike.
Ai thotë për Gazetasi.al se kurrë më parë në Kosovë sipas tij nuk ka pasur më shumë shkelje kushtetuese sesa në kohën e Kurtit.
Numri rekord i seancave të dështuara, i cili nga disa ekspertë është parë si orvajtje e opozitës për të zvarritur procesin, për Krasniqin shihet si mungesë e vullnetit politik të LVV-së.

I pyetur nëse opozita po bën mjaftueshëm për ta balancuar qeverinë, ai thotë për Gazetasi.al se PDK-ja ka tentuar disa herë të zhbllokojë situatën.
Madje, fakti që dy aktet e fundit të Gjykatës Kushtetuese i kanë dhënë të drejtë PDK-së vëren, referuar tij, se është pikërisht Kurti ai i cili prej 4 muajsh tashmë, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt, e ka mbajtur Kuvendin pezull.
“Numri rekord i seancave të dështuara është pasqyra më e qartë e mungesës së vullnetit politik të Kurtit dhe partisë së tij për të formuar institucionet. Sot, asnjë subjekt politik nuk dëshiron të bashkëpunojë me Vetëvendosjen, sepse të gjithë e kanë kuptuar se Kurti nuk ka për qëllim stabilitetin dh zhvillimin e vendit.
Për pesë vite ai e ka çuar Kosovën buzë kolapsit dhe e ka izoluar nga partnerët ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin”, thotë Krasniqi për Gazetasi.al.
Duke pretenduar se Albin Kurti e përdori populizmin për të fituar zgjedhjet, Krasniqi thotë se një shtet nuk mund të ndërtohet prej populizmit.
“Kurti ofron slogane për konsum ditor, por nuk ka sjellë asnjë rezultat të prekshëm për qytetarët. Përkundrazi, jeta është bërë më e vështirë: çmimet e energjisë dhe të shportës bazë janë rritur, papunësia është rritur, investimet kanë rënë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë lëshuar vendin, marrëdhëniet me aleatët janë dëmtuar dhe proceset integruese kanë ngecur.
Populizmi mund të fitojë zgjedhje, por nuk ndërton shtet. Dhe këtë Kosova e ka përjetuar në këto pesë vite qeverisje të Albin Kurtit”, vëren Krasniqi për Gazetasi.al.
Për të mbështetur këtë tezë, ai ndalet edhe tek vendimi i një jave më parë i Bashkimit Europian i cili pezulloi takimet me Albin Kurtin deri në formimin e qeverisë.
“Letra e fundit e Bashkimit Europian, ku thuhet qartë se nuk do të ketë takime me institucionet e Kosovës për shkak të rezervave që kanë ndaj tyre, është alarm serioz. Mbështetja ndërkombëtare nuk është e pakufizuar – ajo kërkon përgjegjësi, stabilitet dhe respektim të Kushtetutës. Qasja e qeverisë aktuale po e minon kredibilitetin e Kosovës dhe po e dëmton partneritetin tonë me SHBA dhe BE”, thotë Krasniqi për Gazetasi.al ndërsa shton se marrëdheniet e Kosovës me aleatët, sipas tij, nuk kanë qenë kurrë më të tensionuara se tani.
Si Krasniqi, mendon edhe një pjesë tjetër e opozitës në Kosovë e cila refuzon ta konsiderojë të konstituuar Kuvendin.

Nga ana tjetër, LVV-ja po ngul këmbë se duhet të ecet përpara me formimin e institucioneve prandaj edhe pritet që të dielën(7 shtator) të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për të autorizuar kryeministrin.
Në këtë mbledhje brenda partisë pritet që Kurti të rikonfirmohet si i propozuar për kryeministër, emrin e të cilit LVV-ja do ta dërgojë më pas te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të provuar formimin e Qeverisë së re.
Se a do ta autorizojë Osmani Kurtin për kryeministër ndërsa situata në Kuvend është ende në ngërç, nuk mbetet ende e paqartë deri të dielën…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



