Ekonomi

Populizmi fiskal si model i shoqërisë

Nga Meri Lika – Presidenti i Brazilit (2016 – 2018), Michel Temer, në vitin 2016 bëri një deklaratë; ai deklaroi se do të donte të “vaksinonte” popullin në mënyrë që të bëhej imun ndaj populizmit fiskal.

Mendoj se edhe ne na duhet një vaksinë e tillë më shumë se sa ajo kundër Covid-19.

Kur një qeverie i dridhen gjunjët përpara një fushate elektorale dhe mendon se duke ulur taksat do të bëhet më e fortë, do të ishte më mirë të mos futej në këtë aventurë.

Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh me qeverinë Rama, e cili vendosi në tryezë një reformë populiste të taksave si dhe një amnisti fiskale.

Që Shqipëria ka nevojë për një reformë fiskale kjo nuk është një gjë e re. Ne kemi një sistem të ngatërruar taskash, i cili nuk kanë një rregull që të jetë me taksa progresive apo të sheshta, por ka një konglomeratë përqindjesh, të cilat ndryshojnë sa hap e mbyll sytë sipas interesave partiake. Tek ne tatohet më shumë klasa e mesme por jo biznesmeni që fiton më shumë, tek ne tatohet më shumë paga e lartë por jo dividenti.

Shqipëria është duke u përballur me krizën më serioze ekonomike në dekadat e fundit dhe vendimet e këqija të qeverive tashmë po presin faturën e tyre.

Populli shpesh mendon se qeveria ka shumë para, dhe në fakt kështu duhet të jetë por, realiteti është se mbledhja e taksave në Shqipëri është shumë e ulët.

Fatkeqësisht, të ardhurat nga taksat janë të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e një popullsie me afro 2 milion banorë. Është edhe më për të ardhur keq që pavarësisht kësaj situate, kryeministrat çdo katër vjet (në fakt ky i fundit çdo vit)  kanë marrë vendime që dobësojnë më tej financat publike të vendit tonë.

E fundit, në kohën e pandemisë, qeveria vendos që të heq TVSH-në për bizneset deri në 10 milion lekë, të shtyjë parapagimin e tatimit fitimit, masa tjetër për tatim fitimin nuk ka nevojë të përmendet sepse nuk ka vlerë. Personalisht, mua si profesioniste e lirë, heqja e TVSH-së më lehtëson por, nuk jam duke e parë në këtë këndvështrim situatën.

Shumë herë është folur për nevojën e progresivitetit fiskal, në mënyrë që kush fiton më shumë të paguajë më shumë, por sa herë që ka fushatë elektorale bëhet e kundërta.
Në kohë fushate populizmi fiskal nuk lë derë dhe dritare të shtëpive tona pa hyrë duke na treguar se cila parti na do më shumë, se sa do të na ndihmojnë me uljen e taksave por asnjëra prej tyre nuk na tregon se si do ta përmirësojë shërbimin shëndetësor, shërbimin arsimor, infrastrukturor etj.

Asnjëherë, në asnjë vend, rritja ose krijimi i taksave nuk është diçka që shoqëria e duartrokit. Askush nuk pëlqen të paguajë taksa, por kur ato zbatohen gjerësisht ekziston një mënyrë për t’i mbrojtur ato: baza është zgjeruar, të gjithë paguajnë në proporcion me të ardhurat dhe shpenzimet e tyre, askush nuk kursen, ata që nuk kanë paguar asgjë do të paguajnë tani etj. argumente si këto.

Por kur këto taksa, siç është rasti me heqjen e TVSH-së, drejtohen drejt një grupi të vetëm të popullsisë, ka argumente për t’i refuzuar ato me: përse jo ne, le të paguajnë të tjerët, jemi shërbime thelbësore etj.

Të njëjtën linjë po ndjek edhe opozita, fushata po bëhet vetëm në fushën e uljes së taksave, por aspak në fushën e përmirësimit të jetës sonë.

Kjo është ajo që po ndodh tani.

Asnjëherë nuk ka qenë, dhe as sot nuk është, biznes i mirë të sundosh nën flamurin e populizmit.

Mund të ishim të qetë se deputetët mund të mos i votonin këto plane, por ne e dimë mirë nivelin e deputetëve që kemi por jemi të sigurt dhe në nivelin e atyre që do të vijnë, madje e dimë shumë mirë se kur këto iniciativa mbërrijnë në Parlament janë marrëveshje të mbyllura dhe deputetët janë vetëm ngritës kartonash jeshil që mbështesin propozimet e qeverisë.

Kostoja e populizmit fiskal do të jetë e lartë sepse dritarja e mundësive që ekzistonte për të bërë një qasje gjithëpërfshirëse fiskale dhe jo një çorbë taksash për të mbajtur pushtetin, u mbyll. E nisur nga kjo ne do të na duhet të lundrojmë akoma në pasigurinë që vazhdon të ketë buxheti.

Tashmë cilado palë që do të marr pushtetin nuk do të mund të ketë mundësinë për nisma tatimore, sepse është shkelur dyshemeja. Ekzistonte vetëm një e shtënë dhe ajo tashmë është shpërdoruar.

Pra, populizmi fitoi përballë nevojës për t’i bërë gjërat mirë dhe thellësisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë