Bota

Polonia akuzon Rusinë si përgjegjëse për zjarrin në një qendër tregtare në Varshavë

Gazeta Si – Polonia ka akuzuar Rusinë si përgjegjëse për një zjarr që shpërtheu në një nga qendrat tregtare më të mëdha të Varshavës në maj 2024.

Kryeministri polak, Donald Tusk tha se pas një viti hetimesh, dihej me siguri se zjarri ishte urdhëruar nga shërbimet sekrete ruse.

Ai shtoi se zjarri ishte koordinuar nga një person me banim në Rusi dhe se disa nga personat që e ndezën fizikisht janë të arrestuar në Poloni, por ai nuk bëri të ditur identitetin e tyre.

Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski njoftoi mbylljen e konsullatës ruse në Krakovë në lidhje me akuzën për zjarrin në qendrën tregtare.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, shërbimet e inteligjencës ruse janë akuzuar për organizimin e sulmeve dhe sabotimeve të ndryshme në disa vende evropiane, me qëllim goditjen e aleatëve të qeverisë ukrainase. Rusia gjithmonë i ka mohuar akuzat.

Qendra tregtare ishte “Marywilska 44”, një strukturë me mbi një mijë dyqane. Zjarri shpërtheu gjatë natës midis 11 dhe 12 maj 2024 dhe përfshiu afërsisht 80 për qind të strukturës: pjesa më e madhe e qendrës u shkatërrua. Për fat të mirë nuk pati të lënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë