Bota

Poloni, qindra emigrantë në kufi nga Bjellorusia. Varshava ‘mbrohet’ me 12 mijë ushtarë (Video)

Qindra emigrantë shkuan në këmbë drejt kufirit midis Bjellorusisë dhe Polonisë për të aplikuar për azil politik në Varshavë, ku kryesisht ishin gra dhe fëmijë. “Sigurisht, ky është vazhdimi i përpjekjes së dëshpëruar nga regjimi i Lukashenkos për të destabilizuar BE-në dhe për të shfrytëzuar njerëzit për qëllime politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Adalbert Jahnz.

Situata po bëhet alarmante, aq sa Varshava ka vendosur 12 mijë ushtarë në kufi, duke paralajmëruar: “Jemi gati të mbrohemi”.

Disa video në mediat sociale, kanë publikuar ardhjen e refugjatëve. Ndër të tjera, është një i postuar në Twitter nga Sviatlana Tsikhanouskaya, një politikane dhe aktiviste bjelloruse, e cila shkruan: “Regjimi bjellorus e intensifikon krizën kufitare: emigrantët shtyhen në kufi nga njerëz të armatosur. Kontrabanda e emigrantëve, dhuna dhe keqtrajtimet në kufi duhet të ndërpriten. Nevojitet një përgjigje e fortë”.

Bashkimi Evropian është treguar i ashpër me Bjellorusinë për situatën alarmante të emigrantëve. Zëdhënësi i BE-së kujtoi se “në javët e fundit Varshava ka raportuar 3 mijë kalime të paligjshme kufitare çdo javë”.

Para dy javësh, Parlamenti i Polonisë votoi për ndërtimin e një muri në kufi me Bjellorusinë për të bllokuar fluksin e migrantëve që hyjnë ilegalisht në vend.

Mijëra njerëz – kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia – kanë bërë përpjekje për të kaluar kufirin e Polonisë, muajve të fundit.

Bashkimi Evropian e akuzon qeverinë e Bjellorusisë për nxitjen e fluksit, si hakmarrje për sanksionet që ka ndërmarrë BE-ja kundër regjimit bjellorus.

Muri prej 5.5 metrash i lartë, do të kushtojë 353 milionë euro. Legjislacioni tani do t’i kalojë presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, i cili pritet ta nënshkruajë atë.

Muri, i pajisur me sensorë dhe sisteme monitorimi, do të mbulojë rreth gjysmën e kufirit të Polonisë me Bjellorusinë, i cili ka një gjatësi prej 400 kilometrash. Qeveria planifikon ta ndërtojë atë deri në verën e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë