Politike

A e duan vërtet votimin elektronik?

Mentor Kasa - Para se të vinte në pushtet në vitin 2013, Edi Rama bënte pjesë tek personat entuziastë për përdorimin e teknologjisë në një proces zgjedhor. Në atë kohë, Partia Socialiste e hodhi si ide tek misioni i OSBE/ODIHR, por nga ajo që vetë kryesocialisti do të deklaronte më vonë, ideja e tyre ishte kundërshtuar nga ndërkombëtarët.

Sot, rolet janë ndryshuar, por entuziazmi i teknologjisë në një proces zgjedhor vazhdon të mbetet në të njëjtin kamp: opozita. Lulzim Basha prezantoi ditën e hënë platformën e Partisë Demokratike për zgjedhjet. Platforma ka katër shtylla kryesore.

Së pari, ajo kërkon dekriminalizimin e procesit zgjedhor, ku Basha përfshin propozimin tjetër, atë të vettingut të politikanëve. Së dyti janë masat kundër shit-blerjes së votës. Së treti reduktim i shpenzimeve të fushatës për partitë politike dhe një financim tërësisht shtetëror të kësaj fushate dhe në fund, përdorimi i teknologjisë në votim dhe numërim elektronik.

Këtë të martë, Edi Rama e komentoi nismën e PD-së. Tha se nuk ishte njohur për platformën, por një qëndrim për kërkesën për votim dhe numërim elektronik e dha.

“Kemi punuar dhe kemi gati të gjithë draftin bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, plus pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik. Jemi në pritje të palës tjetër”, u shpreh ai.

Kuti votimi te grumbulluara ne nje KZAZ ne zgjedhjet e fundit ne Shqiperi

Nëse palët bien dakort, pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik mund të realizohet që me zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm në 2-3 zona. Por, nisur nga e shkuara, nuk përjashtohet mundësia që kjo nismë të dështojë. Edhe në 2013, në bazë të marrëveshjes së arritur mes PD-së në atë kohë në pushtet dhe PS-së në opozitës, u vendos që në zgjedhjet e 23 qershorit të aplikohej identifikimi dhe numërimi elektronik në dy qarqet më të mëdha, Tiranë dhe Fier.

Në Tiranë u parashikua që të aplikohej identifikimi elektronik, ndërsa në Fier vetëm numërimi elektronik. Çfarë ndodhi? U hodhën paratë, u blenë pajisjet për pilotimin e këtij projekti, por në fund s’u realizua asgjë. E gjithë zhurma u sfumua dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i drejtuar në atë kohë nga Lefteri Lleshi u tërhoq nga të dy projektet me rreth 2.2 milionë euro të çuara dëm e për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ngriti një padi në vitin 2016.

Pas këtij dështimi, politika ra në qetësi sa u takon kërkesave për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Thirrjet për një proces votimi dhe numërimi elektronik për zgjedhjet vendore të 2015 ishin të vakta. Por, ato nisën të përforcohen në prag të zgjedhjeve të 2017 nga opozita, e cila ushtronte presion ndaj Kryeministrit Rama duke e paraqitur kërkesën e saj si një propozim edhe të tijin kur ishte në opozitë.

Vetë Rama e mohonte se kishte kërkuar votim elektronik.

“E vërteta është se ne nuk kemi kërkuar asnjëherë votim elektronik. Kemi kërkuar vetëm identifikim elektronik te zgjedhësve në QV dhe numërim elektronik të votave. E kjo është lehtësisht e verifikueshme. Nuk e kemi kërkuar kurrë votimin elektronik, sepse askush, asnjë ekspert apo njohës i praktikave të mira elektorale, nuk na e ka keshilluar asnjëherë. Përkundrazi, na kanë rekomanduar të heqim dorë nga kjo ide sa herë kemi pyetur dhe prandaj as nuk e shtruam ndonjëherë si kërkesë votimin elektronik. Ashtu sikundër, nuk na e kanë këshilluar kurrë as identifikimin elektronik, me plot argumenta që nuk është ky vendi per t’i renditur. Nuk po zgjatem këtu edhe me faktin se qeveria e vjetër atëhere ishte kategorikisht kundër për identifikimin elektronik, ashtu siç ishin kundër për hir të së vërtetës edhe ekspertët e OSBE/ODHIR-it, edhe një pjesë e vetë ekspertëve tanë”, deklaronte Kryeministri.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10154393693776523

Koha nuk premtonte, por opozita ishte e bindur se nëse kishte vullnet politik votimi dhe numërimi elektronik realizohej, pasi siç këmbëngul edhe sot sistemi që duhet ngritur është i thjeshtë; votim dhe numërim elektronik duke përdorur teknologjinë në qëndrat tradicionale të votimit.

Por, veç mazhorancës, me argumentin se koha nuk premtonte këtë propozim të demokratëve e rrëzoi edhe OSBE.

“Votimi elektronik është një proces shumë kompleks që kërkon një planifikim të imtësishëm dhe në kohën e duhur të mënyrës se si do të blihen pajisjet (ky duhet të jetë një proces i komplikuar prokurimi); mënyrës se si do të vlerësohet, certifikohet dhe garantohet siguria e sistemit. Nevojiten fushata intensive për edukimin e zgjedhësve. Duhet të trajnohen edhe zyrtarët zgjedhorë”, deklaronte në janar të vitit të kaluar për Vizion Plus,  kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.

Zgjedhjet u zhvilluan dhe teknologjia u shmang edhe njëherë tjetër. Vjeshtën e vitit të kaluar, demokratët dhe socialistët ringritën Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kërkesa kryesore e opozitës mbetet votimi dhe numërimi elektronik, ndërsa mazhoranca kërkon, në dukje pa fort ngutje adresimin e problemeve të vjetra të proceseve zgjedhore të identifikuara nga raportet e OSBE/ODIHR.

Në janar të këtij viti, Bledi Çuçi, bashkëkryetar i këtij Komisioni bënte një deklaratë kundër votimit elektronik.

“Përdorimi online i teknologjisë është diçka që tashmë nuk rekomandohet. Po heqin dorë kushdo që e ka tentuar ta fusi një gjë të tillë për shkak të sigurisë kibernetike në botë dhe opozita është vetëdijshme për këtë gjë”, deklaronte ai në një intervistë për Top Channel.

Pak ditë më vonë, Oerd Bylykbashi njoftonte se opozita nuk ishte tërhequr nga propozimi për votim dhe numërim elektronik dhe sqaronte idenë e tij.

“Pretendimi i PS se PD është tërhequr nga votimi elektronik është fals. Po flasim për votim elektronik, jo online. Zgjedhësi vjen paraqitet, identifikohet biometrikisht aty, voton në qendrën e votimit dhe vota mbetet në makinën, në pajisjen përkatëse. Nuk shkon online në KQZ për t’u manipuluar nga qeveria rrugës. Zgjedhësi do të ketë mundësinë të shohë fletën e votimit që printon makina, që të ketë garanci të plotë për procesin”, deklaronte ai.

Më 17 shkurt, përmes një postimi në rrjetet sociale, Bylykbashi njoftonte se votimi dhe numërimi elektronik ishte përcaktuar në krye të agjendës së punës së Komisionit. Opozita thotë se kjo metodë do të reduktojë shit-blerjen e votës dhe manipulimin e rezultateve në numërim.

Por, në një nga tryezat e organizuara në kuadër të reformës zgjedhore, ekspertët e OSBE/ODIHR u shprehën skeptikë. Ata rrëzuan pretendimin e opozitës së teknologjia redukton shit-blerjen e votës. “Akti i shitjes ose i blerjes së votës realizohet ditët përpara ditës së zgjedhjeve dhe jo në ditën e votimit”, thonë ekspertët e OSBE.

Debati është rindezur sërish dhe veç votimit elektronik PD përfshin në platformën e saj edhe pika të tjera, që beson se do të garantojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë.

Nëse dy partitë e mëdha kanë përqendruar energjitë e tyre tek votimi ose jo elektronik, të voglat kanë një tjetër hall. Si majtas, ashtu edhe djathtas, këto parti kërkojnë më fort ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Por, ndryshimi i sistemit zgjedhor proporcional rajonal dhe me lista të mbyllura, që është aktualisht nuk bën pjesë në agjendën e Komisionit të Reformës. Bledi Çuçi e ka deklaruar disa muaj më parë se sistemi mund të diskutohet në një moment të dytë dhe nga një tryezë më e gjerë, pasi të jenë adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Pasi të jenë adresuar këto, mund të hapet diskutimi për sistemin. Qëndrimi im është që cfarëdo sistemi të shkojmë duhet një studim dhe diskutim i hapur për përfaqësimin më të mirë të qytetarëve. Reduktim të numrit të deputetëve që mund të kthehen në 100, parlamenti me dy dhoma. Të gjitha propozimet të hapura për diskutim”, deklaronte ai.

Një tjetër tematike që është cekut përciptazi nga Komisioni është vota e emigrantëve. Për këtë temë është angazhuar fort Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën. Thotë se janë dy variante që po diskutohen, ndërsa paralajmëron se njëri prej tyre mund të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës.

Ministri i i Shtetit per Diasporen, Pandeli Majko, duke hyre ne nje seance parlamentare. Foto LSA

“Kam frikë se do të na duhet që të prekim Kushtetutën për këtë çështje, pasi një nga sistemet, apo një nga modelet e përshtatshme që do të garantojë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputetëve. Me sistemin aktual, nëse do të votohet me kuti, do të na duhet të dërgojmë 12 kuti në qendrat e votimit për diasporën”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë