Sociale

Politika uron besimtarët ortodoksë për Ditën e Pashkëve

Politika shqiptare ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Ditës së Pashkëve.  Kryeministri Edi Rama, është mjaftuar me një foto nga Korça në faqen e tij në Facebook duke shkruar: “Gëzuar Pashkët Ortodokse!”

Më herët, Pashkët Ortodokse i uroi edhe presidenti Meta, i cili tha se dita e Ngjalljes së Krishtit është dita e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen.

“Të dashur besimtarë ortodoksë, Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë”.

Meta shtoi se “Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë”.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha uron më shpresë dhe besim në vatrat e çdo familjeje shqiptare për Ditën e Pashkës.

“Të gjithë besimtarëve ortodoksë, ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët! Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të mundë çdo sfidë, dhimbje dhe padrejtësi. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, – shkruan kryedemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë