Krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e politikës shqiptare kanë uruar Kosovën në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Deri më tani ka reaguar presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe Ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Presidenti Begaj shprehet në një postim në rrjetet sociale se Kosova është shtet i pavarur, një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Igli Hasani shprehet: “Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës dhe mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare”.
Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla shkruan se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa thekson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme drejt paqes. Me vone uroi shkurt edhe kryeministri Edi Rama.
Sot bëhen 16 vite nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.