Kosova

Politika shqiptare uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Bashkë, jetë e mot

Nga Gazeta ‘Si’- Politika shqiptare ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.

Presidenti Bajram Begaj tha se ky përvjetor e gjen Kosovën edhe më të fortë ndërsa shpreh mirënjohje për ata që sollën lirinë.

“Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë! Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! Bashkë, jetë e mot”, deklaroi Begaj.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një fotoalbum nga vizita e tij një ditë më parë në Prishtinë.

Më tej, ai shpreh keqardhjen që nuk mund të jetë i pranishëm në protestën që do të zhvillohet në solidaritet të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kreu i qeverisë i konsideron ata pengje të padrejtësisë ndërkombëtare.

“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkroi Rama.

Edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë urimet e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur krenarinë dhe respektin për këtë moment historik të kombit shqiptar.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, ai u drejtua me urimet më të përzemërta, duke e cilësuar këtë ditë si një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar.

“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar”, shprehej Peleshi në mesazhin e tij të urimit.

Republika e Kosovës feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë. Por ndërkohë në Hagë vijon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin (nga 45 vite secili). Njëkohësisht në mbështetje të ish-krerëve, sot në orën 14:00 në Prishtinë, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë ku do të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë