Politike

Politika në Shqipëri dhe Kosovë urojnë Pavarësinë

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të Ditës së Pavarësisë.

Ai ka postuar në rrjetet sociale një foto nga Monumenti i Pavarësisë në Vlorë, që sot është kthyer në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. “Mirëmëngjes dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan Rama.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka uruar Ditën e Pavarësisë me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ai thekson se 28 nëntori është një nga ditët që bashkon të gjithë shqiptarët.

“Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë. Ato shënojnë momentet tona më të rëndësishme identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion e guxim”, shkruan Peleshi.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë uruar sot 28 Nëntorin, duke nënvizuar peshën e kësaj date për kombin shqiptar.

Osmani theksoi se kjo ditë bashkon katër ngjarje që formësojnë identitetin shqiptar: Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, lindjen e Komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së.

Ajo përmendi lidhjen e pathyeshme mes historisë së Krujës, Vlorës dhe Prekazit, duke theksuar se “dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër” mbeten busulla e rrugës së përbashkët.

Ndërsa kryeministri Kurti solli një mesazh të gjatë dhe simbolik, duke e përshkruar 28 Nëntorin si datën që ka ndjekur fatin e kombit ndër shekuj.

Ai kujtoi ngritjen e flamurit në Krujë në 1443, shpalljen e pavarësisë në 1912, lindjen e Adem Jasharit në 1955 dhe daljen e UÇK-së në 1997, duke i quajtur këto “hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm të lirisë”.

28 nëntori është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Sot vendi ynë kremton 113 vjet pavarësi.

Nga viti 1912 kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, kjo datë është festa që përbashkon të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata në shtetin amë, por edhe ata të Kosovës, të trojeve të tjera, por edhe miliona bashkatdhetarëve që jetojnë në mbarë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë