Politike

Politika dënon vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. OSBE: Sulm ndaj shtetit të së drejtës

Gazeta Si – Presidenti Bajram Begaj ka dënuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku mbetën të plagosur dy persona të tjerë.

“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e patolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja”.

Për presidentin, ky akt është një atentat makabër ndaj vetë sistemit të drejtësisë. “Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga e gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, mbi të cilin kanë themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”.

“Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen“, tha Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambienet e Gjykatës së Apelit të JUridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, gjatë një sence gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme.

Krahas ngushëllimeve për familjarët e gjyqtarit të ndjerë, kreu i qeverisë shkruan se tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave.

Mes të tjerash; Rama kërkoi ashpërsimin e dënimit për armëmbajtje pa leje në kodin e ri penal.

‘’Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore’’- shkroi Rama në rrjetin e tij social.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Berisha shpreh ngushëllime familjes Kalaja dhe të afërmëve të tij, si dhe dënon aktin kriminal. Berisha kërkon dënim të rreptë për autorin e vrasjes.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe atij të drejtësisë pas krimit të rëndë në gjykatën e Apelit ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.

Sipas Bardhit, vetëgjyqësia ndaj vendimeve të gjykatës ka nisur pas sulmeve të hapura të kryeministrit ndaj drejtësisë.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe plagosjes së dy personave të tjerë.

Përmes një njoftimi për mediat, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shkruan se janë thellësisht të tronditur lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Duke dënuar me forcë këtë akt të dhunshëm, Prezenca e OSBE-së shkruan se sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Teksa mbështet përpjekjet për më shumë siguri dhe pavarësi të sistemit gjyqësor, Prezenca e OSBE-së kërkon hetim të shpejtë dhe të pavarur të ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë