Nga Gazeta ‘Si’- Shërbimet sekrete serbe kanë testuar topa zanorë mbi qen, në bashkëpunim me shërbimin famëkeq të sigurisë ruse, sipas dokumenteve qeveritare të siguruara nga POLITICO.
Dokumentet serbe konfirmojnë se administrata e presidentit Aleksandar Vuçiç ka kryer eksperimente me altoparlantë me fuqi të lartë, të njohur në zhargon si “topa zanorë”, dy javë pas një proteste antiqeveritare në Beograd, e cila u ndërpre nga ajo që protestuesit e përshkruan si një shpërthim shurdhues zanor.
Testimi i përbashkët i armëve zanore mbi kafshë nxjerr në pah nivelin e thellë të bashkëpunimit të sigurisë mes Rusisë — kundërshtarit më agresiv të Bashkimit Evropian — dhe Serbisë, një vend kandidat për anëtarësim në BE, procesi i të cilit ka ngecur, ndërsa qeveria përballet me një sfidë serioze të brendshme.
Pajisjet Long-Range Acoustic Devices (LRAD) tregtohen zyrtarisht si mjete komunikimi në distancë të gjatë, por kur përdoren nga afër, ato mund të shkaktojnë dëmtime në dëgjim. Raportime të shumta i lidhin ato edhe me dhimbje koke, marramendje dhe të përziera. Qeveria serbe ka mohuar se ka përdorur topa zanorë ndaj demonstruesve.

Serbia po përjeton valën më të madhe të protestave në dekada. Për më shumë se një vit, dhjetëra mijëra njerëz — e herë pas here qindra mijëra — kanë dalë në rrugë në mbarë vendin, duke organizuar protesta të rregullta kombëtare që pasqyrojnë zemërimin në rritje ndaj qeverisë.
Më 15 mars 2025, gjatë një prej protestave më të mëdha, një zhurmë e papritur dhe shurdhuese përshkoi bulevardin kryesor të Beogradit, duke shkaktuar panik dhe duke detyruar turmën të strehohej.
Video të xhiruara nga kënde të ndryshme tregojnë se si vala e zhurmës përshkoi turmën e dendur, përpara se njerëzit të shpërndaheshin të tmerruar. Demonstruesit që u paraqitën në urgjencat e spitaleve raportuan të përziera, të vjella, dhimbje koke dhe marramendje. Ata thanë se kishin dëgjuar një zë të ngjashëm me “një grup motoristësh” ose me “një lokomotivë” që po vinte drejt tyre.
Pas mohimeve fillestare se autoritetet kishin përdorur topa zanorë, Vuçiç deklaroi se “do të zhvillohet një hetim i plotë brenda 48 orëve dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për këto trillime dhe gënjeshtra brutale do të mbahen përgjegjës përpara ligjit”.
Edhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiç mohoi çdo shkelje, duke këmbëngulur se Serbia “nuk ka përdorur asnjë mjet të paligjshëm, përfshirë një të ashtuquajtur top zanor”.
Një muaj pas protestës, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA) publikoi një raport të porositur nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB), i cili pretendonte se pajisjet me decibel të lartë “nuk janë përdorur gjatë protestave” dhe se nuk kishte pasur “ndikim masiv psikologjik, moral apo fizik mbi njerëzit”.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Testimi mbi kafshë
Sipas dokumenteve të siguruara nga POLITICO, testet mbi kafshë u kryen si pjesë e hetimit pas protestës dhe u prodhuan nga BIA dhe një ministri qeveritare.
Qëllimi ishte të vlerësohej nëse simptomat e përshkruara nga protestuesit përputheshin me efektet e topave zanorë, të cilët zyrtarët serbë kishin pranuar më herët se policia i zotëron.
Rreth dy javë pas protestës, ekspertë të inteligjencës serbe dhe ruse mblodhën një grup qensh në një qendër testimi të BIA-s për të vlerësuar “efektin e emetuesve mbi objektet biologjike”. Qentë u përzgjodhën si subjekte testimi për shkak të “ndjeshmërisë së tyre të lartë ndaj efekteve akustike”.
Sipas dokumenteve, kafshët u ekspozuan ndaj dy modeleve LRAD — LRAD 100X MAG-HS dhe LRAD 450XL — të prodhuara nga kompania amerikane Genasys, në distanca prej 200, 150, 100, 50 dhe 25 metrash.
Fletë-teknikat e këtyre pajisjeve tregojnë se ato mund të lëshojnë tinguj deri në 150 decibel, ekuivalente me zhurmën e një motori reaktiv gjatë ngritjes.
Dokumentet sugjerojnë gjithashtu se testet mund të jenë kryer pa miratimet ligjore të nevojshme për eksperimente mbi kafshë.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave… nuk ka informacion nëse janë kryer teste mbi efektet e LRAD 100H dhe LRAD 450XL, apo teste të tjera mbi qen,” thuhet në dokumente.
“Kjo ministri nuk ka marrë kurrë një kërkesë për miratim për kryerjen e testeve mbi kafshë dhe për rrjedhojë nuk ka nxjerrë asnjë vendim që të miratojë testin në fjalë apo teste të tjera të ngjashme,” shtohet më tej.
Avokati serb i të drejtave të njeriut, Danilo Ćurčić, tha se qentë janë “nënshtruar ose eksperimenteve, ose keqtrajtimit”, sipas përkufizimit të Ligjit për Mirëqenien e Kafshëve në Serbi.
Sipas tij, ligji serb kërkon që eksperimentet mbi kafshë të regjistrohen paraprakisht dhe të miratohen nga organet kompetente — përfshirë një komision etik — dhe ndalon shprehimisht testimin e kafshëve për “provën e armëve dhe pajisjeve ushtarake”.
Radomir Lazoviç, politikan i opozitës, i përshkroi testet si “pjesë e një fushate të Aleksandar Vuçiç për të mbuluar përdorimin e topave zanorë kundër qytetarëve të tij gjatë protestave të marsit”.
“Mijëra njerëz ndjenë vitin e kaluar efektet masive të kësaj arme zanore në trupin e tyre,” tha ai.
Në raportin mbi eksperimentet me qen, FSB këmbënguli se: “Gjatë transmetimit të sinjaleve bazë dhe testuese, objektet biologjike (qentë) nuk ndjenë shqetësim (ndryshime në sjellje) në distancat e testuara. Qentë u kontrolluan tre ditë pas testeve dhe nuk shfaqën asnjë ndryshim në gjendjen e tyre.”
Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



