Analize

Politico: Dosjet sekrete të BE-së rrezikojnë të bien në duart e Kremlinit

Nga Gazeta ‘Si’- Qasja e partisë gjermane pro-ruse Alternativa për Gjermaninë në dokumente konfidenciale të Bashkimit Europian po ngre shqetësime serioze se diskutimet e ndjeshme mund të përfundojnë në Moskë, sipas tre diplomatëve të BE-së dhe katër ligjvënësve gjermanë.

Deputetët gjermanë përfshirë edhe ata të së djathtës ekstreme nga AfD, kanë akses në një databazë që përmban mijëra dokumente të BE-së. Mes tyre janë edhe shënime konfidenciale nga takimet e ambasadorëve, ku diskutohen qëndrimet e vendeve për çështje gjeopolitike, si për shembull planet për financimin e Ukrainës përmes aseteve ruse të ngrira.

“Problemi është se kemi një parti, AfD, për të cilën ekzistojnë dyshime të bazuara për rrjedhje informacioni drejt Kinës apo Rusisë,” tha Anton Hofreiter, kryetar i komisionit për çështjet e BE-së në Bundestag.

Këto dyshime po ndikojnë edhe në mënyrën si zhvillohen diskutimet sensitive, pasi diplomatët po marrin gjithnjë e më shumë masa duke llogaritur rrezikun e ekspozimit të informacionit.

Ndërkohë, Hungaria është akuzuar në media se ka përcjellë informacione konfidenciale tek Moska-akuza që ministri i Jashtëm i Budapestit i ka cilësuar si lajme të rreme. Sipas një zyrtari europian, vendet e BE-së shpesh takohen në grupe më të vogla për shkak të shqetësimeve se disa shtete “jo plotësisht besnike” mund të rrjedhin informacion tek qeveria e presidentit rus Vladimir Putin.

“Po marrim çdo masë në Bruksel për të mbrojtur takimet dhe informacionin e ndjeshëm,” tha një diplomat i lartë i BE-së. Megjithatë, ai shtoi se qasja që kanë deputetët e AfD në këto materiale “lë një boshllëk të madh në sigurinë tonë një boshllëk në formën e Putinit”.

Diplomatët pranojnë se tashmë informacioni i ndjeshëm nuk shpërndahet më aq lirshëm mes 27 vendeve anëtare.

“Nuk mund të jesh i sigurt që çdo gjë e thënë në takimet e ambasadorëve nuk përfundon drejtpërdrejt në Rusi apo Kinë,” u shpreh një tjetër diplomat.

AfD i mohon kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pabazuara.

Një sistem i ekspozuar ndaj rrjedhjeve

Ndryshe nga shumë parlamente të tjera, në Gjermani të gjithë deputetët dhe stafi i tyre kanë akses në EuDoX, një databazë që përmban rreth 25 mijë dokumente në vit, nga materiale për samitet ministrore deri te përmbledhje takimesh konfidenciale. Sistemi është krijuar për të garantuar transparencë dhe kontroll parlamentar ndaj qeverisë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se numri i madh i përdoruesve (rreth 5 mijë) e rrit rrezikun e rrjedhjeve. Sipas profesorit të së drejtës Sven Hölscheidt, qeveria është e vetëdijshme për këtë dhe për këtë arsye shmang futjen e informacionit tepër sensitiv në këtë sistem.

Megjithatë, disa ligjvënës gjermanë e konsiderojnë aksesin e AfD si një rrezik real sigurie. Ata përmendin lidhjet e supozuara të partisë me Rusinë, kontaktet me ambasadën ruse dhe përdorimin e narrativave pro-Kremlinit.

Sipas Roland Theis, këto zhvillime “po u shkaktojnë netë pa gjumë të gjithë atyre që shqetësohen për sigurinë e vendit”.

Ndërsa Johannes Schraps thekson se shqetësimi lidhet me një model më të gjerë sjelljeje.

Në disa raste, deputetët e qendrës kanë akuzuar AfD se përmes pyetjeve parlamentare kanë tentuar të sigurojnë informacione që mund të jenë me interes për inteligjencën ruse si mbrojtja kundër dronëve, transporti i armëve drejt Ukrainës apo aktivitetet ruse në Detin Baltik.

Madje, në fillim të vitit 2025, një ish-ndihmës i eurodeputetit Maximilian Krah u dënua për spiunazh në favor të Kinës, duke shtuar edhe më shumë dyshimet. Administrata e Bundestagut ka ndërmarrë disa masa për të rritur sigurinë, përfshirë kufizimin.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë