Javën e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar nënvizoi faktin se problemet e shumta – duke përfshirë krizën europiane të energjisë, rritjen e shpejtë të normave të interesit dhe ngadalësimin ekonomik të Kinës – janë mbledhur së bashku dhe po rëndojnë mbi ekonominë globale. Ato që më parë dukeshin si kriza të veçanta që po shfaqeshin në shumë rajone dhe tregje të ndryshme, tani janë bërë bashkë. Tashmë, ne mund të përballemi me një polikrizë në shkallë globale.
Është tepër e rrallë që kaq shumë motorë të ekonomisë globale të ngecin menjëherë, në të njëjtën kohë: vendet që përbëjnë një të tretën e ekonomisë së botës do të pësojnë një rënie të aktivitetit këtë vit ose tjetrin, sipas FMN.
Në të vërtetë, perspektiva e saj për ekonomitë më të mëdha – duke përfshirë SHBA-në, eurozonën dhe Kinën – është e zymtë. Teksa normat globale të inflacionit kanë arritur nivelet më të larta të 40 viteve të fundit, bankat qendrore kanë rritur normat e interesit këtë vit me një sinkronizim që nuk ishte parë ndonjëherë në pesë dekadat e kaluara, ndërsa dollari amerikan ka arritur nivelin e tij më të fortë që nga fillimi i viteve 2000. Këta janë faktorët që po nxisin parashikimet e zymta dhe po krijojnë probleme të reja.
Ekonomitë në zhvillim tashmë kanë një barrë akoma më të lartë për sa i përket borxheve të tyre në dollarë, teksa po shkatërrohen për shkak të rrjedhjes së kapitalit. Ndërkohë, normat e kredive hipotekore dhe kostot e huamarrjes për korporatat janë rritur në të gjithë botën. Shumë matës të stresit në tregun financiar po paralajmërojnë për situatën kritike, pasi rritja e shpejtë e normave nga nivelet e ulëta që u vendosën gjatë pandemisë, ka nxjerrë në pah shumë dobësi. Dinamikat e shitjeve të shpejta e me çmim të ulët mbeten një rrezik i vazhdueshëm, siç kanë demonstruar së fundmi fondet e pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkaqet e njëpasnjëshme të kësaj vorbulle globale janë dy goditje historike me radhë: Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Rezerva Federale ka rritur normat e interesit me ritmin më të madh që nga fillimi i viteve 1980, kur Paul Volcker ishte kryetari i saj, për të vënë në kontroll inflacionin i cili është nxitur pjesërisht edhe nga paketat mbështetëse gjatë pandemisë dhe nga pengesat në kahun e ofertës. Ndërkohë, përdorimi i furnizimeve me gaz natyror si një armë nga Putin, kanë bërë që Europa të kalojë një goditje të madhe në kushtet e tregtisë, ndërsa ekonomia e Kinës po vuan për shkak të politikës së saj zero-Covid, së bashku me një kolaps në tregun e pasurive të paluajtshme. Në fakt, probleme të reja janë shfaqur përpara se të shëroheshin vetë plagët e pandemisë.
Goditjet e shumta dhe që përkeqësojnë njëra-tjetrën, i kanë lënë politikëbërësit përballë një sfide të vështirë për të qenë sa më të balancuar. Për qeveritë, përpjekjet për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të mbështetur familjet e bizneset nuk duhet t’i fryjnë akoma më shumë zjarrit të inflacionit dhe të rrisin më tej barrën e borxhit, veçanërisht tani që kostot e huamarrjes po shtohen.
Sa më shumë të rriten normat e interesit, aq më të larta janë rreziqet e një kolapsi në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të një shtrëngimi të mëtejshëm në tregun financiar. Megjithatë, për bankierët qendrorë, nëse politikat monetare nuk shtrëngohen mjaftueshëm, inflacioni mund të rritet akoma më tej.
Megjithëse nuk ka zgjidhje të thjeshta për këtë situatë, ka disa mësime që mund të nxirren. Ekonomia e brishtë e kohëve të sotme ka nevojë që politikat të jetë të përllogaritura mirë dhe të marrin parasysh rreziqet. Mbretëria e Bashkuar është një nga shembujt se si kjo gjë nuk duhet bërë. Qasja e pamenduar dhe e nxituar e saj gjatë javëve të fundit tregon se çfarë ndodh kur realitetet injorohen.
Gabimet në këto politika janë pjesërisht arsyeja pse FMN-ja vlerëson që rritja ekonomike globale në vitin e ardhshëm ka 25% mundësi të bjerë nën nivelin e ulët historik prej 2 përqind.
Efekti i krizave globale intensifikon nevojën për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme. Ndërkohë që sistemi bankar u forcua pas krizës financiare, politikëbërësit kanë bërë shumë pak për të forcuar sistemin financiar jo-bankar.
Shumë persona do të fajësonin edhe mungesën e përmirësimit të produktivitetit dhe të investimeve për të ulur inflacionin, në fusha të tilla si aftësitë, teknologjia dhe alternativat e karburanteve fosile, gjatë dekadës së fundit, kur normat e interesit ishin të ulëta. Pa një vizion dhe një plan afatgjatë, ekonomia globale do të vazhdojë të zvarritet nga njëra krizë në tjetrën.
Burimi: Financial Times; Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



