Futboll

Policia zbulon si terroristët do sulmonin “Camp Nou”-n në 2017-ën

Dalin në pah detaje të reja në lidhje me atentatin e 17 gushtit të 2017-ës në Barcelonë. Shtypi spanjoll zbulon se terroristët kishin planifikuar të sulmonin edhe stadiumin “Camp Nou”, ku luhej ndeshja e javës së parë të kampionatit mes Barcelonës dhe Betisit.

“Mundo Deportivo” sjell detaje të sulmit terrorist të vitit 2017 të celulës xhihadiste në Barcelonë dhe Tarragona, ku humbën jetën 16 persona dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë. Gazeta spanjolle shkruan se terroristët kishin në plan, – ashtu siç ndodhi në Francë në mbrëmjen e Bataclan, – të krijonin ferrin në një nga vendet simbol të qytetit.

Në seancën e parë gjyqësore është konfirmuar se një nga objektivat e terroristëve ishte “Camp Nou”, prej kohësh në qendër të vëmendjes të celulës, që donte të godiste zemrën e qytetit dhe skuadrën që më shumë se çdo gjë tjetër përfaqëson Katalonjën. Organet policore kanë kontrolluar telefonin e Hichamy Mohammed, një prej terroristëve të vrarë mëngjesin e 18 gushtit. Ata kanë gjetur kërkim informacioni të paktën 40 herë në lidhje me oraret e hyrjes në stadium, si dhe foto të shumta të stadiumit.

Pamje nga sulmi terrorist i 2017-ës në Barcelonë. Gazeta Si, 11 nëntor 2020

Në atë kohë, një shitëse e njërit prej dyqaneve zyrtare të Barcelonës i kishte thënë policisë me siguri të plotë se dy nga terroristët kishin qenë aty ditët para sulmit. Policia po përpiqet të kuptojë tani se si terroristët do të vepronin në “Camp Nou”, por hipoteza më e mundshme është ajo e një furgoni-bombë, që do të lëshohej drejt portave të stadiumit. Një metodë ndryshe nga ajo e përdorur në stadiumin “Saint Denis” gjatë miqësores mes Francës dhe Gjermanisë në nëntor të 2015-ës.

Gazeta spanjolle shpjegon se Barcelona nuk kishte asnjë sinjal për këtë sulm dhe vetëm disa javë më pas drejtuesit e saj u vunë në dijeni se stadiumi ishte një objektiv i terroristëve. Gjithsesi, klubi katalanas kishte marrë masa për të evituar ndonjë sulm të mundshëm, por për fat të mirë nuk ishte nevoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë