Kosova

Policia serbe arreston shqiptarin e Kosovës për krime lufte. Prishtina: Arrestim arbitrar! Njoftuam QUINT-in

Nga Gazeta ‘Si’ – Policia kufitare serbe në Merdare bën me dije sa ka arrestuar një shtetas shqiptar të Kosovës, i dyshuar për krime lufte.

Sipas ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, shtetasi Tefik Osmani u ndalua pasditen e 1 qershorit pasi dyshohet se ka kryer krime kundër serbëve në Kosovë.

“Mustafa, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në deklaratat e dëshmitarëve përmendet si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviç dhe Predrag Millosheviç, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë–Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët. Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, shkroi Daçiç.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka dënuar si arbitrar arrestimin e tij duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e menjëhershëm.

Ministria kosovare tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.

MPJD-ja shtoi se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, “nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe”.

Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se i ka njoftuar menjëherë vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë