Ka ndodhur

Policia: Personi që e goditi Berishën është me precedentë penalë dhe probleme mendore

Gazeta Si - Policia e Tiranës ka reaguar për incidentin në protestën e opozitës, ku u godit me grusht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sipas policisë, autori i dyshuar Gert Shehu, ka precedent penalë dhe vuan prej vitesh nga çrregullime psikotike.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Shehu rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë  për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.

Nga diagnoza klinike e vënë në dispozicion nga familjarët e tij, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh, për këtë, thotë policia.

Gert Shehu, 31 vjeç goditi me grusht në fytyrë ish-kryeministrin Berisha kur ky i fundit iu bashkua protestës së organizuar nga opozita në shesh.

Shehu ka përfunduar në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të dëmtimeve të shumta të marra për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij, nga truprojat e Sali Berishës.

Burime paraprake bëjnë të ditur se i riu ka hematoma të shumta dhe po i kryhen ekzaminime të tjera për të parë ndërsa ka hemorragji të brendshme. Oficerët po tentojnë që ta marrin sërish në pyetje, por deri më tani ai nuk ka folur.

Në mbyllje të protestës që kulmoi me dhunën që 31-vjeçari Gert Shehu kreu ndaj tij, Berisha doli në një deklaratë për mediat, ku e cilësoi autorin “agjent të policisë kriminale”.

Berisha u shpreh se Gert Shehu është vërtet kontingjent në rrethet e trafikantëve, por zyra e kryeministrit nxitoi “të shpërndante me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të. Sipas tij, kjo dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur.

Goditja duket se ishte e fortë, saqë Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë