Ka ndodhur

Policia: S’ka më tubime mbi 10 vetë, bie ndesh me masat e pandemisë

Policia e Shtetit iu drejtohet të gjithë qytetarëve me një mesazh të rëndësishëm, teksa thekson se nuk do të lejohet asnjë tubim, që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

Nisur nga protestat e ditëve të fundit kundër vrasjes së Klodian Rashës, policia bën me dije se duhen respektuar masat e caktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku mes të tjerash ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 njerëzve, pasi në të kundërt vendi do të shkojë drejt një mbylljeje më të madhe.
Policia ndër të tjera thotë se “Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:
Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;
Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;
Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;
Ndalimin e muzikës pas orës 20:00; Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;
Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;
Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.
Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë