Nga Gazeta Si- Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka informuar se po qarkullojnë mesazhe mashtruese të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve nëpërmjet kërkesave për gjoba automjetesh.
Në mesazh është i vendosur edhe një link që të dërgon drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente.
Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.

Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët që të mos klikojnë në mesazhe të dyshimta, të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe që nuk janë zyrtare.
Gjithashtu, qytetarët duhet të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



