Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, është shoqëruar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës, pasi ka kundërshtuar punonjësit e policisë.
Në një video të ndarë nga eksponentë të PD (Alimadhi, është aleati i Berishës në zgjedhjet e 11 majit) dallohet edhe momenti i shoqërimit të Alimadhit nga forcat e policisë në ambientet e një lokali në rrugën e Dibrës.
Sipas policisë, gjatë një kontrolli të ushtruar me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, Alimadhi ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë.
Ndaj, policia ka nisur procedim penal ndaj tij për veprën “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Policia informon se ai “ka kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht, si edhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.”
Ndërkohë deputeti i PD Flamur Noka ndërsa publikoi në rrjetet sociale videon, shkroi se ai ndodhej në lokalin e vëllait të tij dhe sipas tij, u kishte kërkuar efektivëve mandatin e kontrollit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.