Nga Gazeta “SI”- Policia italiane ka sekuestruar 21 vepra të dyshuara si falsifikime të Salvador Dalit nga një ekspozitë e madhe monografike në Parma, në veri të Italisë.
Veprat ishin pjesë e ekspozitës “Dali, Midis Artit dhe Mitit”, e hapur më 27 shtator në Palazzo Tarasconi, dhe përfshinin 80 vizatime, tapiceri dhe gravura. Sekuestrimi u urdhërua nga një gjykatë në Romë, pasi njësia italiane për mbrojtjen e artit , Karabinierët TPC në bashkëpunim me ekspertë të Dali në Spanjë, dyshuan për autenticitetin e disa prej tyre.
“Nëse rezulton se veprat nuk janë autentike, organizatorët e ekspozitës do të duhet të shpjegojnë arsyet pse i ekspozuan ato dhe mund të përballen me akuza për falsifikim arti,” deklaroi Diego Polio, komandant i degës së Romës të Karabinierëve TPC, për radion italiane Radio Bruno.
Në një intervistë për The Guardian, Polio tha se dyshimet lindën gjatë një kontrolli rutinë në janar:
“Diçka dukej e parregullt. Vumë re se ekspozita përmbante vetëm litografi, postera dhe vizatime nga Dali, si dhe disa statuja e objekte të tjera, por asnjë pikturë me rëndësi. Ishte e pazakontë që një ekspozitë e tillë të përfshinte vepra me vlerë kaq të ulët.”
Prokurori publik i Romës, Stefano Opilio, i përfshirë në hetim, tha për The Art Newspaper se në shkurt Karabinierët i kishin dërguar katalogun e ekspozitës Fondacionit Gala-Salvador Dalí në Figueres, Spanjë. Ekspertët e fondacionit konfirmuan se nuk ishin konsultuar për shfaqjen.
Në raportin e tyre, të lëshuar një muaj më vonë, fondacioni shprehu “konfuzion të madh” rreth origjinës së veprave, ndërsa dyshimet u thelluan pas vizitës së ekspertëve në ekspozitë. Në një deklaratë për The Art Newspaper, fondacioni sqaroi: “Që në momentin që përmbajtja e ekspozitës u bë publike, Fondacioni Dalí i paraqiti Karabinierëve dyshimet e tij për tre vizatime dhe një seri printimesh.”
Sipas prokurorit Opilio, autoritetet italiane pritën që ekspozita të hapej në Parma për të ndërhyrë. Veprat e sekuestruara, 18 litografi dhe tre vizatime ishin huazuar nga dy koleksionistë privatë italianë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



