Kosova

Policia e Kosovës zbulon tjetër arsenal armësh në veri. Vijon aksionin edhe sot

Nga Gazeta ‘Si’-Policia e Kosovës bën me dije se ka zbuluar një arsenal tjetër armësh në një fshat në veri të banuar më së shumti nga serbët.

Në njoftimin e policisë thuhet se një person ka qenë duke mbledhur hekurina në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë dhe në një vend ku hidhen mbeturinat ka gjetur një armë zjarri e mjete shpërthyese.

Pasi qytetari ka lajmëruar policinë, këta të fundit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur e sekuestruar armë të tjera dhe municion.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se në atë vendndodhje janë gjetur dy armë, një sasi municioni, katër granata dore.

“Në orët e pasdites një qytetar ka raportuar se derisa po mblidhte hekura në një hapësirë ku hedhen mbeturinat në hyrje të fshatit Prilluzhë , ka vërejtur dy armë. Lidhur me informatën janë ndërmarrë veprime operative e hetimore ku nga njësitë përkatëse është bërë perimetri i sigurisë. Gjatë kontrollit në atë lokacion janë gjetur dy armë të gjata, një sasi e municionit, katër granata dore, një tromblon”, shprehet Zahiti.

Edhe ditën e sotme(17 tetor) policia e Kosovës po zhvillon aksion në veri, në disa vendndodhje.

Deri tani nuk ka të arrestuar ndërsa zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka deklaruar se bastisjet kanë të bëjnë me rastin e Banjskës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë