Kosova

Policia e Kosovës: Serbët në veri u arrestuan për sulm ndaj efektivit ( Hedhin poshtë akuzat e Serbisë për dhunë)

Nga Gazeta 'Si'-Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se katër të rinjve, të ndaluar të martën në Mitrovicë të Veriut, për “sulm ndaj zyrtarit”, u është caktuar masa e paraburgimit.

Sipas policisë së Kosovës, ata fillimisht janë ndaluar pasi kanë fyer dhe sulmuar dy zyrtarë policorë - njëri prej të cilëve është plagosur – dhe më pas janë larguar prej vendit të ngjarjes.

“Njësitet policore kanë arritur t’i arrestojnë të dyshuarit në rrugën Knjaz Millosh. Ata janë dërguar në stacionin policor e më pas janë dërguar për kontroll mjekësor. Të arrestuarve u është bërë matja e nivelit të alkoolit dhe ka dalë që tre nga ta janë nën ndikimin e alkoolit”, është thënë në komunikatën e Policisë.

Ndërkohë, disa aktivistë politikë nga Mitrovica e Veriut kanë publikuar në rrjetet sociale një video të arrestimit të të rinjve, me pretendimin se Policia e Kosovës ka përdorur forcë të tepruar dhe se i ka rrahuar të ndaluarit.

Policia e Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se “është përdorur forca minimale e nevojshme për arrestimin dhe vënien nën kontroll të personave”.

“Përdorimi i forcës minimale do të thotë se është dashur t’u vendosim pranga”, ka saktësuar Policia.

Në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është thënë se “ndalimi brutal dhe rrahja e të rinjve serbë” nga Policia e Kosovës, “pasqyron politikat antiserbe dhe represionin e torturën që vuajnë dhe përjetojnë serbët nga veriu i Kosovës çdo ditë".

Sipas saj, ekzistojnë pamje ku shihet se "policët i hedhin në tokë dhe për 10 minuta i rrahin dhe i tërheqin të rinjtë serbë, ndërsa ata kërkojnë ndihmë, e më pas i arrestojnë me armë të gjata".

Pretendohet se është arrestuar edhe një serb që "ka filmuar torturën për të zhdukur gjurmët dhe provat e brutalitetit të policisë", por që "fatmirësisht janë ruajtur".

Po ashtu, përmenden deklaratat e dëshmitarëve okularë që policët "ishin civilë dhe nuk kanë treguar identifikimet".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë