Kosova

Policia e Kosovës: Protestat vazhdojnë, serbët mos provokohen

Policia e Kosovës deklaroi se po ruan rendin, teksa grupe të serbëve po protestojnë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Sipas Policisë protestuesit në Zveçan kanë tentuar të hyjnë “me dhunë në objektin” e kësaj komune.

“Para objektit të komunës së Zveçanit, protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, u tha në njoftimin e Policisë.

Policia ftoi serbët që të protestojnë në mënyrë të qetë “dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme”.

Më 29 maj, serbët janë mbledhur në komunat në veri për të kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj shqiptarë. Ata edhe më 26 maj, kishin tentuar që të parandalonin hyrjen e kryetarëve në zyrat e tyre, por ishin përleshur me policinë, e cila kishte përdorur shok-bomba dhe gaz lotsjellës.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat i ka cilësuar “të dhunshme” dhe i ka bërë thirrje autoriteteve që të shmangin hapa “të njëanshëm dhe destabilizues”.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë