Kosova

Policia e Kosovës konfiskon sasi të madhe armatimi në veri: Ishte fshehur nga pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës

Nga Gazeta 'Si'-Policia e Kosovës ka thënë se të premten ka konfiskuar sasi të armatimit në pjesën veriore të vendit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa vendndodhje ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

Në vendodhjen e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.

Ndërsa në vendndodhjen e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.

Në vendndodhjen e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.

Ndërsa në vendndodhjen e katërt janë gjetur iriq metalik, jelek i brendshëm antiplumb, 30 copë mjet i dyshuari eksploziv TM 100, një uniformë, çantë e zezë me pajisje të ndihmës së parë dhe adapter për radiolidhje.

Prej sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar në pjesën veriore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë