Alleksandar Arsenijeviq nga Partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Nga kjo parti serbe më pas thanë se është arrestuar edhe politikani, Stefan Vellkoviq.
Sipas Elshanit, Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore. Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.
Mësohet se këta politikanë kanë penguar lyerjen e flamurit serb në afërsi të urës.
Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Para nisjes së debatit, në komunën e Mitrovicës së Veriut shkuan anëtarë të partisë së Arsenijeviqit, që kërkuan nga Elshani të shpjegojë se pse u arrestua Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq, nga po kjo parti.
Pas një proteste të serbëve lokalë, Policia e Kosovës njoftoi se i liroi ata.
Në Mitrovicë sot ka nisur edhe testimi i qëndrueshmërisë së urës së Ibrit, ku kanë kaluar disa kamiona.
Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




