Gazeta Si – Pas aksionit të nisur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, fadromat e IKMT-së kanë nisur shembjen e një objekti në godinën e kompleksit turistik “Prestige Resort” në Golem të Kavajës.
Administratorët e ‘Hysenbelliu Group” kanë kundërshtuar aksionin policor dhe pretendojnë se objekti rezulton i ndërtuar me leje që nga viti 2016.
Sipas tyre, ata disponojnë një shkresë, si një dëshmi zyrtare të firmosur nga Dallëndyshe Bici, ndërsa sot forcat e IKMT janë paraqitur në ambientet e resortit pa asnjë dokument zyrtar.
Në pamje shihen rruspat e IKMT-së që kanë shembur pjesën e restorantit të “Prestige Resort”, ndërkohë që nuk i është dhënë mundësia avokatëve të “Hysenbelliu Group” që të ankimojnë këtë aksion në Gjykatën Administrative.

Po ashtu, pamjet tregojnë godinën kryesore të resortit nga ku forcat xheniere shfaqen duke çarë kolonat e ndërtess për të vendosur aty eksploziv dhe më pas për të kryer shpërthimin e kontrolluar.
I gjithë territori është rrethuar me shirit në një distancë të largët nga resorti dhe policia nuk ka lejuar kamerat dhe mediat.
Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga IKMT-ja për këtë aksion. OSHEE ka ndërprerë edhe dritat.
Ky është aksioni i dytë brenda pak muajsh pas atij të gushtit, ku IKMT-ja ndërhyri, duke prishur pishinat e këtij resorti turistik me pretendimin se ishin ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Ndaj rastit në fjalë reaguan deputetë të opozitës duke e konsideruar veprimin të jashteligjshëm. Më tej edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha: “…Ky akt i shëmtuar i një njeriu të shfazuar nga fakultetet mendore, i një njeriu që përfaqëson errësirën, përfaqëson arkaizmin më të thellë njerëzor në hakmarrje, është kjo që ndodh sot, në një ditë si kjo, e cila është një ditë e veçantë, se një burrështetas i një vendi të madh viziton vendin, ndërkohë që fadromat e hakmarrësit primitiv të verbër i futen një resorti ku PS ka zhvilluar dhjetëra e dhjetëra aktivitete elektorale. Por këta janë një kategori njerëzish, të cilët meritojnë çdo fjalë, por njeriu nuk duhet të prishë gojën e tij për t’u thënë fjalët që këta meritojnë”.
Më herët reagoi kryetari i PL, Ilir Meta. “Sulmi i paligjshëm dhe brutal i forcave të policisë dhe të IKMT kundër Prestige resort në Golem, është një vepër kriminale personalisht e Edi Ramës si hakmarrje ndaj lirisë të mediave”, tha ndër të tjera Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




