Ngjarje

Polici shqiptar ‘viktimë’, polici gjerman hero

Nga Gazeta ‘Si’-Disa ditë më parë një punonjës policie në Lezhë u pezullua nga detyra me motivacionin se sipas policisë u shfaq në një komunikim jo profesional me dy turiste të huaja gjatë ushtrimit të detyrës.

Në një kohë kur Shqipëria është përmbytur nga fluksi i turistëve, sjellja e shqiptarëve, e veçanërisht punonjësve të shtetit ndaj tyre duhet të jetë shumë e mirë, për të mos krijuar as incidente dhe për të mos prishur imazhin e mirë që vendi po merr nga turizmi.

Por çfarë ka ndodhur me policin shqiptar që për shkak të kësaj ngjarje u pezullua dhe u transferua në një detyrë tjetër?

Polici i Rrugores së Lezhës në fakt e ka kryer shumë mirë detyrën e tij. Ai ka ndaluar mjetin me të cilin udhëtonin dy turistet gjermane, ka shpjeguar shkeljen, ka vendosur masën e ndëshkimit me gjobë prej 1 mijë lekësh sipas Kodit Rrugor dhe meqënëse shtetaset e huaja e kanë paguar atë në moment, gjoba është ulur në 500 lekë.

Problemi nis kur polici ka shkëmbyer kontaktet në Instagram me dy vajzat, gjë e cila nuk do të ishte marrë vesh, nëse njëra prej tyre nuk do ta kishte filmuar dhe publikuar këtë në adresën e saj në aplikacionin Tik Tok. Video u bë virale dhe polici shqiptar përfundoi i pezulluar. Madje edhe me dënimin publik dhe talljen me policin që sipas moralistëve kishte dalë për të gjuajtur.

@jeanniejuice

albanische polizei kontrolle 👍🏾 kriegt von mir ein daumen hoch !!das war übrigens nicht korrupt, sie haben uns ganz normal wie in deutschland auch eine strafe mit beleg gegeben

♬ original sound - Jeannie

Gjithçka duket normale, brenda rregullave.

Vetëm se një ditë më vonë, në të gjithë rrjetet sociale, nga Facebook, në Instagram, Tik Tok e Youtube të gjithë shqiptarët nuk ngelën pa pëlqyer, komentuar, shpërndarë videon e një polici tjetër, këtë radhë gjerman që së bashku me tifozerinë shqiptare në Hamburg, përpara ndeshjes me Kroacinë kërcente me tifozët nën ritmin e tupanës dhe madje bënte edhe shenjën e shqiponjës me të dy duart.

Ne nuk e dimë me siguri nëse polici gjerman u pezullua dhe u transferua në ndonjë pozicion tjetër për sjellje që nuk përputhet me etikën e detyrës. Nëse do të kishte ndodhur do ta kishim marrë vesh me patjetër. Do të ishte bërë ndoshta kazus edhe në Gjermani, si polici shqiptar i Lezhës.

Këtij të fundit i mjaftoi një video me 760 mijë shikime në Gjermani të bëhej viktimë në Shqipëri. Polici gjerman me shumë më tepër klikime, pëlqime e shpërndarje, u bë hero nga i njëjti popull virtual dhe e njëjta media shqiptare që u tall me policin e Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë