Ka ndodhur

Polici që arrestoi djalin e Samir Manes tentoi vetëvrasjen, AMP: Azbi Spahiut nuk i është bërë presion!

Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) ka reaguar publikisht për rastin e oficerit të policisë rrugore, Azbi Spahiu, i cili u hodh nga lartësia dhe tashmë ndodhet për kurim në Spitalin e Traumës.

AMP ka nisur hetimet në lidhje me rastin referuar aludimeve që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet edhe pse në lidhje me këtë ngjarje nuk ka patur një ankesë apo pretendim zyrtar.

reagimin e AMP thuhet se punonjësi i policisë Azbi Spahiu, nuk ka ngritur asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm kundrejt tij, përfshirë çdo lloj forme presioni tjetër presioni, për shkak të ushtrimit të detyrës.

Reagimi i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore:
“Nisur nga interesi i disa mediave, pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në media dhe rrjete sociale, lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tirane, strukturat e AMP-së Tiranë pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar, kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës.
Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj.
Veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes”
.

Pesë ditë pas arrestimit dhe lirimit të Martin Manes, djalit të biznesmenit Samir Mane, Versus zbardh për herë të parë raportin që Policia e Shtetit dërgoi në Prokurori për këtë rast.

Në këtë referim sqarohet se Martin Mane, më 12 janar, ora 04:13 e mëngjesit ka përplasur dy motora përballë Parlamentit. Me të përplasur motorat, ai është larguar dhe 15 minuta më vonë, Policia Rrugore e ka gjetur te “Luigj Gurakuqi”. Efektivët i kanë kërkuar kryerjen e testit të alkoolit, por ai nuk ka pranuar.

Martin Mane ka pretenduar se vuan nga alergjia. Më pas ai është shoqëruar në Polici ku sërish është ftuar të kryejë testin e alkoolit dhe nuk ka pranuar që ta kryejë. Në këtë moment, sipas Prokurorisë Policia Gjyqësore e ka bërë marrjen e kampionëve të gjakut, pa pëlqimin e tij. Kjo ka bërë që Prokuroria ta cilësojë arrestimin e tij si të jashtëligjshëm dhe ta lirojë.

Ditën e ngjarjes Policia e Shtetit sqaroi se Martin Mane rezultoi i dehur dhe ky rezultat ka dalë nga kampionet e analizave të gjakut. Mënyra sesi këto kampione u morën duket se është edhe shkaku i zanafillës së presioneve që dyshohet se kanë qenë arsyeja pse polici që trajtoi rastin e tij, Azbi Spahiu u vetëhodh nga kati i 11-të i një pallati në kryeqytet.

REFERIMI I NGJARJES NË PROKURORI:
Në referimin e policisë thuhet se, më datë 12.01.2025, në orën 04.13′, salla operative ka njoftuar se përballë Parlamentit një automjet…, ka përplasur 2 motomjete me targa.. të parkuar dhe është larguar në drejtim të 9-katsheve. Shërbimi i policisë rrugore ka shkuar përballë Parlamentit ku ka konstatuar 2 motomjete të parkuar dhe të dëmtuar. Në orën 04.35′ shërbimet e policisë kanë konstatuar tek kryqëzimi Luigj Gurakuqi automjetin auto veturë me targa AB….të drejtuar nga shtetasi M.M dhe kanë konstatuar se automjeti kishte dëmtim të lehtë. Drejtuesit i automjetit është ftuar të bëjë testin e alkoolit, por ka pretenduar se vuan nga alergjia. Me pas është shoqëruar në polici dhe është ftuar përsëri të bëjë testin e alkoolit por përsëri ka pretenduar se vuan nga alergjia. Gjithashtu nuk ka pranuar ti merret kampion gjaku me pretendimin e vuajtjes së tij nga alergjia.

Më pas policia gjyqësore, pa respektuar procedurën e parashikuar nga neni 201/a pika “5” të Kodit të Procedurës Penale, (procedura e marrjes së kampionëve të gjakut pa pëlqimin e personit) më datë 12.01.2025, ora 09.25’ ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M, si i dyshuar për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” të parashikuara nga neni 242 dhe 273 të Kodit Penal. Gjithashtu ndaj shtetasit M.M, ka marrë dhe masë administrative sipas kërkesave të parashikuara nga neni 127/3/1, 184/2/c/6/10 dhe 187/1/6/8 të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998 “Për Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”.

Më datë 13.01.2025 është depozituar referimi nga policia dhe nga kjo prokurori është regjistruar procedimi penal nr. 167 datë 13.01.2025 për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” të parashikuara nga neni 242 dhe 273 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit M.M.

Ndërkohë duke qenë se shtetasi M.M ishte arrestuar për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” të parashikuara nga neni 242 dhe 273 të Kodit Penal, është vlerësuar se nuk janë respektuar kriteret për arrestimin në flagrancë të parashikuar nga neni 251 të K. Pr. Penale dhe për këtë shkak është urdhëruar lirimi i shtetasit M.M dhe vazhdimi i hetimeve ndaj tij, në gjendje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë