Futboll

Polemika pa fund te Spanja, kampionet e botës bojkotojnë kombëtaren

Gazeta Si – Nuk kanë fund polemikat te Spanja e futbollit të femrave edhe pas çështjes ‘Rubiales’. Të gjitha lojtaret që u shpallën kampione botë në Botërorin e Australisë dhe Zelandës së Re, kanë informuar Federatën spanjolle (RFEF) se nuk do të luajnë në ndeshjet e Ligës së Kombeve (vlejnë për kualifikimin në Lojërat Olimpike Paris 2024) ndaj Suedisë dhe Zvicrës.

Lista pritet të shpallet sot nga trajnerja e re Tome. Vajzat ‘rebele’ pertendojnë se nuk janë bërë mjaftueshëm ndryshime në RFEF edhe pas daljes nga skena të presidentit Luis Rubiales dhe trajnerit Jorge Vilda.

Sipas disa burimeve, lojtaret kërkojnë edhe largimin e sekretarit të përgjithshëm Andreu Camps, të përgjegjësit të Integritetit Miguel García Caba dhe pjesëtarëve të departamentit të komunikimit, përgjegjës për shpërndarjen e deklaratave false të Jeni Hermoso pas puthjes së Rubiales.

Në shënjestër janë edhe Ana Álvarez dhe Rafa del Amo, respektivisht drejtoreshë dhe president i futbollit të femrave të RFEF.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë