Futboll

Polemika në Holandë për Van Gal, pozitiv ndaj Covid-it dhe në stol ndaj Gjermanisë

Gazeta Si – Polemika në Holandë dhe trajneri Luis Van Gal në qendër të tyre. Vetë trajneri i Holandës ka pranuar se ka qëndruar në stol gjatë miqësores me Gjermaninë, edhe pse kishte dalë pozitiv ndaj Covid-19. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Van Gal i shtangu të pranishmit, duke thënë: “Mos u afroni, kam dalë pozitiv ndaj Covid-it”.

Trajneri holandez e kishte bërë testin e fundit të hënën, një ditë para ndeshjes, kur doli pozitiv, por ai ishte prezent në stadium dhe u ul në stol, duke përqafuar lojtarët e tij dhe ata kundërshtarë, madje pa përdorur as maskë.

Van Gal takon Mylerin pas ndeshjes. Gazeta Si, 30 mars 2022

Sjellja e trajnerit është shoqëruar me shumë diskutime, sidomos në Gjermani, ku shtypi e ka sulmuar ashpër Van Galin, i cili është justifikuar kështu: “Mjeku më tha se janë vetëm mbetje të virusit, që dallohen në testin molekular, ndërsa në testin e shpejtë dola negativ”. Më pas trajneri holandez ka bërë të ditur se nuk do të jetë i pranishëm në Katar të premten për hedhjen e shortit të Botërorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë