Nga Gazeta Si – Max Verstappen siguroi “pole position” në “Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara”, pasi xhiro e parë në sesionin 3 rezultoi e mjaftueshme për t’i dhënë holandezit vendin e parë, duke mos pasur më kohë për një përpjekje të dytë.
Pas dominimit në sesionin e 1-rë dhe të 2-të, piloti i “Red Bull” e vazhdoi ritmin edhe në fazën përfundimtare të Provave Zyrtare, duke regjistruar një kohë prej 1’32”510 në xhiron e tij të parë në sesionin e 3-të.
Megjithëse tentoi të përmirësonte rezultatin në xhiron e fundit, ai nuk arriti vijën e nisjes para se të valvitej flamuri me katrorë.
Koha e Verstappen mbeti e pamposhtur, duke e lënë 0.291 sekonda pas ndjekësin më të afërt, Lando Norris, që siguroi vendin e dytë për McLaren.
Vetëm gjashtë mijtat e sekondës pas tij mbërriti Charles Leclerc me Ferrari-n, ndërsa George Russell në bordin e Mercedes u rendit në vendin e katërt.
Piloti tjetër i Ferrari-t, Lewis Hamilton, do të niset nga pozicioni i pestë, ndërsa Oscar Piastri pati një sesion të vështirë dhe u rendit i gjashti.
Kimi Antonelli për Mercedes e ndoqi në vendin e shtatë pasuar nga Ollie Bearman i Haas, Carlos Sainz me Williams dheFernando Alonso me Aston Martin, që mbylli dhjetëshen e parë.

Më herët Max Verstappen fitoi në një Sprint dramatik në “Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara”, një garë që pa të dy pilotët e McLaren të tërhiqeshin që në xhiron e parë pas një përplasjeje kaotike në kthesën e parë.
Ndërsa Verstappen u nis saktë nga “pole position”, Oscar Piastri u godit nga Nico Hulkenberg (Kick Sauber) në hyrje të kthesës, duke u përplasur më pas me shokun e skuadrës, Lando Norris.
Ky incident eliminoi menjëherë të dy makinat e McLaren, ndërsa Hulkenberg pësoi dëmtime dhe ra disa pozicione më poshtë.
Nga ana tjetër, Verstappen nuk pati asnjë problem dhe përballoi me sukses presionin e George Russell nga Mercedes, si edhe dy hyrjet e “Safety Car”, për të siguruar një tjetër fitore në Sprint.
Gara përfundoi nën “Safety Car”, pas një përplasjeje mes Lance Stroll dhe Esteban Ocon.
Russell u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, ndërsa surprizën e madhe e bëri Carlos Sainz me Williams, që mori vendin e tretë, duke lënë pas Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc të Ferrarit në vendet katër dhe pesë.
Alex Albon me Williams përfundoi i gjashti, ndërsa Yuki Tsunoda i Red Bull mori vendin e shtatë.
Piloti i Haas, Ollie Bearman, kaloi vijën e finishit në vendin e tetë, por një dënim prej 10 sekondash e zbriti në fund të renditjes, duke i dhënë Kimi Antonellit të Mercedes pikën e fundit të Sprint-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



