Motosport

‘Pole position’ i Ferrarit në Monca, Sainz ‘djeg’ Vershtapen me vetëm 13 të mijëtat

Gazeta Si – Kualifikuese plot emocione para Çmimit të Madh të Italisë. Piloti spanjoll i skuderisë italiane ka ‘djegur’ kampionin në fuqi për fare pak, kurse Leklerk niset nga vendi i 3-të, para Rasëll.

Karlos Sainz niset i pari ne Monca. Gazeta Si, 2 shtator 2023

Karlos Sainz ka entuziazmuar publikun e Moncës, duke regjistruar kohën më të mirë në kualifikuese dhe nesër do të niset i pari në garë. Tifozët e Ferrarit shpresojnë që edhe nesër spanjolli të jetë në një ditë të mirë. Sainz mposhti të pathyeshmin Maks Vershtapen dhe Red Bull-in e tij me vetëm 13 të mijëtat.

Sainz për herë të parë ka mundur në kualifikueset e Moncës edhe shokun e skuadrës, Sharl Leklerk, të cilit iu desh të kënaqet me vendin e 3-të, 67 të mijëtat pas spanjollit. Ferrari nesër do të luajë shanset e saj.

Por Red Bull-i edhe këtë fundjavë ka qenë i shpejtë dhe në garë shprehet gjithmonë mirë. Xhorxh Rasëll do të niset nga pozicioni i 4-t, Serxhio Perez nga i 5-ti, përpara Albon, Piastrit, Hemiltonit, Norrisit dhe Alonsos, me këtë të fundit që ka zhgënjyer disi me vendin e 10-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë