Gazeta Si – Klubi torinez ka njoftuar zyrtarisht rikthimin e Pol Pogba pas 6 vitesh. Francezi ka firmosur deri në 2026-ën me Juventusin dhe do të mbajë fanellën me numrin 10.
Pol Pogba është sërish lojtari i Juventusit. Pas kryerjes së formaliteteve ditën e shtunë, sot klubi italian ka bërë njoftimin zyrtar.
Mesfushori ka firmosur kontratën e re deri më 30 qershor 2026. Vjen në Torino me parametra zero nga Mançester Junajtid, edhe pse për federimin Juventusi duhet të paguajë 2.5 milionë euro brenda 31 gushtit 2022.

Pogba, siç është bërë me dije ditët e fundit, do të veshë fanellën me 10, që në vitin 2016 ia kishte lënë Paulo Dibalës.
“Kur bëhet një përshëndetje, pas një aventure të mrekullueshme së bashku, në një cep të zëmrës ka gjithmonë një shpresë për t’u takuar sërish, herët a vonë.
Me Pol ka qenë pikërisht kështu. Në 2016-ën rrugët tona u ndanë pas 4 vitesh të pabesueshme. Ai tregoi talentin e tij, duke u shpallur kampion botë në 2018-ën.
U përshëndetëm, por realisht nuk e harruam njëri-tjetrin. Pol është sërish në Torino, iku një djalosh dhe tani vjen si një ‘top player’. Diçka nuk ka ndryshuar, dëshira për të shkruar faqe të tjera historie sa bashku.
Nuk mund të jemi më të kënaqur se kaq. Pol Pogba është sërish me ne”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të Juventusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




