Nga Gazeta Si- Ilirjan Selmani, rreth 35 vjeç, u shoqërua nga policia e Pogradecit këtë të hënë, si autor i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço.
Ngjarja e rëndë u zbulua mëngjesin e sotëm, kur shtëpia e saj u përfshi nga flakët. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale, por brenda pak orësh, hetuesit zbuluan një histori tjetër.
Kozeta Teço dyshohet se u vra nga i riu dhe më pas ai i vuri flakën shtëpisë, në mënyrë që ngjarja të dukej aksidentale.
Përveç shenjave të dhunës në trupin e gruas, hetuesit mësohet se analizuan kamerat e sigurisë në zonë dhe arritën të gjenin prova të tjera në koshat e mbeturinave, ku zbuluan mes të tjerash peshqirë të gjakosur. Edhe dy vatrat e zjarrit në banesë ishin një provë se flakët nuk kishin qenë aksidentale.

Ndërkohë në kazanin e plehrave është gjetur edhe arma e krimit, një thikë me të cilën dyshohet se autori i ka prerë fytin 52-vjeçares. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se i riu ka patur lidhje intime me viktimën.
Teksa shoqërohet nga uniformat blu, autori i dyshuar dëgjohet të thotë: ‘Nuk jam unë vrasësi, jo’.
Rreth orës 13:30, Ilirjan Selmani u pa teksa shoqërohej nëpër rrugët e Pogradecit i prangosur nga policia. Bashkë me të, hetuesit u kthyen në skenën e krimit, aty ku kryen edhe një eksperiment hetimor.
Sipas burimeve paraprake, i riu dhe gruaja dyshohet se kishin një lidhje intime. Dyshimet duket se përforcohen edhe nga dëshmitë e të afërmve dhe fqinjëve. Gruaja ishte e pamartuar dhe jetonte e vetme.
Kqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përballë pallatit ku ndodhi krimi e kanë ndihmuar policinë të identifikojë dhe të shoqërojë Ilirjan Selmanin.
Ndërkohë, policia po vijon hetimin për të zbardhur motivin që shtyu të riun nga Pogradeci të vriste partneren e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



