Nga Gazeta “SI”– Jonida Prifti ka lindur në Berat dhe jeton në Romë prej vitit 2001. Poete dhe vokaliste ajo e ndërthur poezinë me tingullin në një zhanër avantgard, i njohur si “sound poetry”. Njohja e saj në publik të gjërë erdhi kur juria e çmimit më të rëndësishëm italian “Strega” e përzgjodhi librin e saj të fundit “Sorelle di confine” në pesëshën finaliste.
Në këtë intervistë për GazetaSi.al Jonida Prifti rrëfen rrugëtimin e saj, që nga fëmijëria në Berat, ikja në Itali, rikthimet e herë pas hershme e deri tek “Strega”, si një hap i rëndësishëm në karrierën e saj letrare.
Jeni pak e njohur për publikun shqiptar. Si gjithmonë njohja vjen me një ngjarje, një përmendje diku ose në rastin tuaj, nominimi për një nga çmimet më të rëndësishme të letërsisë , “Strega”. Duke e spostuar pyetjen mbi nomiminin për pak më vonë, fillimisht kush është Jonida, për një lexues tashmë kurioz ?
Unë kam lindur nga Hareti Prifti me 6 qershor të vitit 1982, në Berat. Jam e shenjës së Binjakëve dhe me hënë dhe ashendente në Shigjetar dhe më pëlqen të kujtoj se kam lindur me hënë të plotë. Unë jam kryesisht një poeteshë dhe vokaliste, që e lidh poezinë me arte të tjera ndërdisiplinore. E di që kam pasur një zë të veçantë që e vogël, le të themi që shkëputet nga kënga klasike, për të ndërmarrë më shumë shtigje eksperimentale. E marr fjalën poetike dhe e shpreh tingullin e saj nëpërmjet zërit, këndimit edhe muzikes. Tingulli eshte i lidhur me fjalen, por i njejti tingull mund te ndryshoje ne momentin qe e them gjate shfaqjeve live, sepse eshte i hapur per cdo transformim te mundshem. Përvoja ime poetike, gjate viteve, është pasuruar nga njohja e rrymave të ndryshme poetike avangarde, ne të cilat krijimtaria ime perputhet shume mire.

Një nga këto është rryma e “sound poetry” e cila lind në fund të viteve 1950, nga takimi midis eksperimenteve fonetike dhe teknologjive të magnetofonit. Eshtë një formë e shprehjes artistike ndërdisiplinore, ku vokaliteti, herë i aplikuar në shkrim, herë i ndarë prej tij, luan një rol kryesor, duke u lidhur edhe me format e të shprehurit pamor, gjestikale dhe muzikore. Gjithmonë ka qenë paksa obsesioni im për t’u hedhur në forma të reja shprehjeje, për të përzier disiplina dhe për t’u zhytur në të panjohurën. Unë jetoj në Romë që nga viti 2001 dhe kur mendoj për veten time në gjithë këto vite ndihem e lumtur që kam mbijetuar.

Çmimi “Strega” është një vitrinë e madhe e letërsisë italiane por edhe asaj europiane pasi jepet në dy versione. Si erdhi ky nonimin? A pati një rrugëtim dhe çfarë ndietë kur e morët vesh?
Nuk më pëlqejnë shumë çmimet në përgjithësi dhe në fakt zakonisht nuk marr pjesë, ishte botuesi Marco Saya që më zgjodhi ndër autorët e tij dhe e dërgoi librin në çmime të ndryshme, ndër të cilat edhe “Strega”. Ai nuk më tha se në cilat çmime e dërgoi librin edhe sepse unë nuk e pyeta. Kur më tha më pas lajmin u habita dhe m’u desh pak kohë për të metabolizuar lajmin.
Ndërkohë libri juaj i nominuar ka një titull sa të çuditshëm, po aq dhe nostalgjik. Duke i qëndruar strikt përkthimit tuaj të titullit në shqip “Motra kufiri”, a është poezia juaj në vetvete një udhëtim, nga Shqipëria në Itali, pra jeta e një njeriu i ndarë kulturalisht por dhe shpirtërisht mes dy vendeve?

Është pak si thua ti, në përgjithësi në poetikën time pasqyrohet udhëtimi dhe gjithçka që ka të bëjë me të, duke përfshirë pikërisht ndarjen dhe bashkimin në të njëjtën kohë, një eksplorim i një gjendjeje të shqetësuar që të çon në eksplorimin e kufijve të tjerë ose në eksplorimin e territoreve të pashkelura si emocionalisht ashtu edhe psikologjikisht. Motrat kufitare janë zërat që jetojnë tek unë dhe që shprehen përmes poezisë. Poezitë në libër, edhe pse titullohen, janë të lidhura me njëra-tjetrën sikur të ishin të gjitha një poezi e vetme, si një rrjedhë, si një udhëtim pikërisht drejt horizonteve të humbura.
Sa e njohur jeni me letërsinë shqipe? Ka ndonjë emër që ju e lexoni, apo e ndiqni vazhdimisht edhe pas ikjes suaj ?
Të them të drejtën nuk e ndjek aq sa duhet por po kam preferencat e mia. Lexoj shumë Mimoza Ahmetin që e konsideroj artiste 360 gradë.
A është historia juaj, një histori tipike emigrimi? Jam kurioz, si ka ndryshuar emigranti në këto vite? Edhe pse qëllimi është i njëjtë, besoj se rrugëtimi mbetet tashmë i ndryshëm.

Duke qenë emigrant mund të them që hyj në atë rrjedhë dhe po, me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe rrugetimi i emigrantëve shqiptarë. Kjo vihet re menjëherë sapo thua se je shqiptar, nuk ka më fytyra të shtrembëruara por përkundrazi njerëzit thonë sa bukur, do të doja shumë të shkoja në Shqipëri. Në fakt, shumë nga të njohurit e mi shkojnë për pushime në Shqipëri . Nëse mendoj për veten edhe vetëm 10 vjet më parë, më vjen të qaj nga mënyra se si më kane trajtuar ketu ne Rome. Kur je emigrant shqiptar duhet të luftosh për dy persona, shqiptarin dhe italianin, lodhesh dyfish por ne shqiptarët kemi një vullnet të madh në dëshirën për të ecur përpara dhe për të luftuar gjithmonë.
A ktheheni shpesh në Shqipëri dhe nëse po, çfarë gjeni ndryshe sa herë ktheheni, e po ashtu çfarë ju bën të ndiheni po njësoj pas kaq vitesh?
Përpiqem të kthehem të paktën një herë në vit, qoftë për projekte ose thjesht për të përshëndetur miqtë e mi si per shembull muzikantin Ilir Lluka me të cilin kemi publkuar edhe nje album poetik/muzikor me titull “Res”. Sa herë që kthehem e shoh ndryshe, si për ecurinë e infrastrukturës ashtu edhe për gjendjen e shqiptarëve. Nuk e di pse por i shoh pak më të përgjumur, ndoshta për shkak të rrjeteve sociale dhe celularëve. Flas nga këndvështrimi i një emigranti për atë pak kohë që qëndroj. Emocionalisht ndihem pak konfuze kur jam atje, por në të njëjtën kohë del ajo pjesë e vjetër e imja që banon në ato lugina, ajo pjesë paksa e egër që zgjohet vetëm atje.

Ndërkohë në Itali janë disa emra shkrimtaresh shqiptare të cilat po lënë gjurmët e tyre në një letërsi të madhe siç është ajo italiane. A ka ndryshuar tashmë qasja e lexuesit italian ndaj temava deri dje ekzotike, siç ishte komunizmi shqiptar dhe po ashtu emigracioni si proces? Kujtoj që këto dy tema për shumë vite janë lëvruar nga shkrimtarët shqiptarë atje.
Të them të drejtën, nuk di si t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse nuk lexoj shumë autorë shqiptarë bashkëkohore.
Pritet një botim në shqip? Ka një aspiratë që Jonida tashmë të jetë një shkrimtare edhe e jona, në gjuhën e saj amë?
Do të doja, sigurisht! Në fakt, libri para “Sorelle di confine” përmbante poezi në shqip me përkthimin krahas në italisht, me titull “Stacioni i syve. Ose trup qe mblidhet” (Kurumuny, 2021).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.