Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar “Muzgu 8”, duke arrestuar një 32-vjeçar dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, pasi janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Në pranga ka rënë krutani S. Ç., ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar dy makina dhe një aparat celular.
“Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 8”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Ç., 32 vjeç, banues në Krujë dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër (për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet)”, thuhet në njoftimin e policisë.
32-vjeçari në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, kanë tentuar të transportojnë 7 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Volkswagen” dhe “Alfa”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




