Ka ndodhur

Po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm, arrestohet i riu në Gjirokastër

foto ilustruese per arrestimin

Nga Gazeta Si – Policia e Gjirokastrës vijon operacionin e koduar “Road Guard”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Gjatë aksionit, policia ka arrestuar një shtetas, i cili në muajin mars tentoi të transportonte me automjetin e tij, 16 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

“Në kuadër të operacionit policor ‘Road Guard’, është ndaluar shtetasi S. S., 25 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent të mëparshëm penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, ndalimi i 25-vjeçarit u bë pasi, nga veprimet hetimore rezultoi se është autor i ngjarjes së ndodhur në datën 11.03.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, ku shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti tip furgon, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur “Virua”.

Në automjetin që drejtohej nga shtetasi S. S. u gjetën 16 emigrantë të paligjshëm, të cilët ky shtetas do t’i transportonte kundrejt fitimit.

Materialet në ngarkim të shtetasit S. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë