Dy transportues klandestinësh janë arrestuar në flagrancë në aksin Pogradec-Qafë Thanë.
Një 36-vjeçar dhe një 23-vjeçar po transportonin drejt Tiranës 7 klandestinë me një automjet fuoristradë “Benz”.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor ‘Perimetri’, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. D., 36 vjeç dhe A. J., 23 vjeç, banues në Pogradec”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, pranë fshatit Hudënisht, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fuoristradë tip “Benz”, të cilin e drejtonte shtetasi G. D., shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Në momentin e kontrollit, 23-vjeçari A. J, tentoi të largohet por u kap menjëherë nga Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




