Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë të premten duke folur për dinarin e ndaluar në Kosovë se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” bankës Raiffeisen apo ndonjë banke tjetër, bankën serbe, Kursimora e Postës.
Në një fjalim televiziv para popullit në Beograd, ai nuk dha hollësi të tjera rreth kësaj, por nguli këmbë se Serbia “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Vuçiç gjithashtu paralajmëroi se Serbia do të marrë “vendim serioz” për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare.
“Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës”, tha ai.
“Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiç pa shpjeguar se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës muajt e ardhshëm.
Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi të mërkurën raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




