Nga Gazeta Si- Mbi 58 tonë mbetje ekotoksike, të cilat dy kompani të ndryshme italiane me seli në Lombardi po tentonin t’i importonin ilegalisht nga Shqipëria, u sekuestruan nga Guardia di Finanza dhe Agjencia e Doganave dhe Monopoleve në portin e Ankonës në kuadër të operacionit “Metal Gate”, raporton agjencia e lajmeve ANSA.
Bastisjet ndodhën pasi u zbulua se kishte mospërputhje në dokumente gjatë kontrollit të mallrave “sensitive” që po transportoheshin.
Malli i është nënshtruar analizës nga ekspertë të Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilët i klasifikuan produktet e transportuara si mbetje ekotoksike.
Mbetjet, të deklaruara zyrtarisht si “shkarkim alumini”, në fakt përmbanin një përqendrim të konsiderueshëm të zinkut, plumbit dhe bakrit shumë toksik, të tillë që shkaktonin toksicitet akut për mjedisin ujor dhe toksicitet kronik.
Operacioni u krye në vazhdën e një aktiviteti të mëparshëm që ka çuar në sekuestrimin e rreth 16 ton mbetje urbane në dhjetor të 2024. Tashmë mbetjet janë sekuestruar dhe ka një kallëzim për përfaqësuesit ligjorë të kompanive importuese për veprat “trafikim i paligjshëm i mbetjeve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.