Politike

‘Po i lini në det që t’i hidhni aty’. Debati për kontejnerët me mbetje, ministri Hoxha: Po marrim masa për të ekzekutuar urdhrin

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Durrësit sekuestroi më 28 tetor 102 kontejnerët e mbushur me mbetje që dyshohen toksike. Prokuroria urdhëroi mos-hapjen e kontejnerëve dhe ruajtjen e tyre në një vend të sigurt, nën vëzhgimin e pandërprerë të kamerave. Por deri më tani, anija me mbetjet ndodhet në mes të detit.

Kjo solli dhe debat të fortë në Kuvend mes opozitës dhe maxhorancës.

Ishte i pari deputeti Agron Shehaj i cili tha se duhen shpjegime se përse kjo anije nuk është lejuar të zbarkojë në port por vazhdon të jetë në det të hapur, duke hedhur edhe dyshime se kjo është një mënyrë e qeverisë për të penguar hetimet.

“Nuk di nëse qeveria e ka marrë vesh por jashtë portit të Durrësit ndodhet një ngarkesë me 102 kontejnerë që prokuroria e Durrësit ka kërkuar ta sekuestroni sepse dyshon që ndodhen 800 tonë mbetje toksike që dëmton jetën e qytetarëve. Ministri i Brendshme të japë llogari përse nuk zbaton urdhrin e prokurorisë.

Situata është bërë qesharake dhe talleni me qytetarë dhe institucionet. Si ta bëjmë t’i sekuestrojmë në mes të detit? Zbatoni ligjin. Mirë që nuk bëni transparencë por respektoni urdhrin e prokurorisë. Doni të fshihni trafikun me mbetje toksike që keni bërë në Porti i Durrësit. Pse nuk e sekuestroni dhe bëni testimin? Sepse jeni të gjithë të përfshirë”, u shpreh ai.

Në fillim ishte ministri i brendshëm Ervin Hoxha i cili u përgjigj duke thënë se ka një arsye pse kjo anije nuk është sekuestruar ende dhe nuk është ekzekutuar urdhri i prokurorisë.

“Ne jemi koordinuar plotësisht sa i përket zbatimit të këtij urdhri. Në bashkëpunim me doganën dhe policinë e shtetit po krijohet infrastruktura e vendosjes së kontejnerëve. Këta kontejnerë do të vendosen në një hapësirë që do të monitorohet. Ne po marrim masat për të zbatuar këtë urdhër”, tha Hoxha, duke shtuar se janë mbi 102 kontejnerë që kërkojnë infrastrukturë të posaçme.

“Nuk janë kuti kartoni që mund ti fshehim e ti fusim kudo ku ju mendoni. Këto kontejnerë do të vendosen në hapësirë që monitorohen nga policia. Urdhri i prokurorisë është totalisht i ekzekutueshëm e po marrim masa në koordinim për ta bërë këtë urdhër të ekzekutueshëm”, sqaroi më tej Hoxha.

Por ky sqarim nuk ka qenë i mjaftueshëm për deputeten Flutura Açka e cila tha se lënia në det e kontejnerëve ka një kuptim, një ndër to mund të jetë për ti hedhur në det.

“Mos doni ti hidhni në det ato mbetje”, tha Açka.

Menjëherë u përgjigj Taulant Balla i cili tha se kjo është një akuzë që shkon në vepër penale.

“Po akuzoni dhe po përhapni panik”, tha Balla.

Ndërsa ministrja e mjedisit Mirela Kumbaro tha se nuk është vërtetuar ende se janë mbetje toksike dhe duhet të presin të gjithë për të mësuar se çfarë ka brenda kutive kur të mbarojë procesi i investigimit.

“Është abusive të thuash mbetje toksike. Po bashkëpunojmë me Prokurorinë e Durrësit për ti shkuar deri në fund kësaj”.

E pyetur nga Shehaj nëse është thirrur në prokurorinë e Durrësit për të dhënë llogari, Kumbaro tha se “I kemi dhënë gjithë informacionet dhe po presim vendimin”.

Në ‘mbështetje’ të opozitës ka dalë edhe deputeti Erion Braçe i cili tha se “deri kur të zbatohet urdhri i Prokurorisë, çdo deputet duhet të ketë të drejtën që të monitorojë këto kontejnerë.

“Ti monitorojë çdo deputet ndërsa janë në mes të detit dhe në momentin që kontejnerët të zbresin në tokë, të jenë aty prezentë me çdo instrument që verifikon të gjitha verdiktet që janë thënë deri më tani. Po u bënë analizat pa deputetët do të mbani përgjegjësi”, iu drejtua Brace kolegëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë