Treg

Po blejmë më pak karburante: Çmimi i naftës uli konsumin dhe importet

Importet e karburanteve shënuan rënie vjetore për të dytin muaj radhazi në prill të këtij viti, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Në prill u importuan gjithsej 42.899 tonë naftë nga 49.105 tonë që ishin në prill të vitit të shkuar me një rënie vjetore 12.6%.

Vitin e kaluar në prill importet e karburanteve shënuan rekorde historike, për arsye të kërkesës së lartë që u shfaq pas heqjes së kufizimeve në lëvizje nga pandemia Covid-19.

Gjatë katërmujorit importi i karburanteve shënoi ulje me 3 për qind. Në janar-prill 2021, u importuan 170 mijë tonë nga rreth 175 mijë në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Në janar dhe shkurt importet e hidrokarbureve ishin në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar por në mars- prill sasia e importeve ra me 14%.

Aktualisht një litër naftë po shitet në pikat me e pakicës me 248 lekë litri, nga 160 lekë litri që tregtohej në qershorin e vitit të shkuar. Gjatë një viti çmimi i një litri karburant është rritur me 55%.

Nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve Luigj Aliaj pohon për Gazetasi.al se shitjet kanë rënë me 20%.

“Që nga momenti kur nisi rritja e çmimit të naftës, shitjet e karburantit nisën të binin gradualisht. Shkak i uljes së tyre ishte reduktimi i lëvizjeve të qytetarëve i cili ndjeshëm u vu re që në ditët e para pasi njerëzit nuk po furnizoheshin më me karburant në pikat e shitjes”,thotë ai.

Aliaj shton se rënia e shitjeve të karburanteve filloi të ndihej që kur nafta në Shqipëri tejkaloi ‘kufirin psikologjik’ prej 200 lekë për litër dhe mandej arriti në nivelin e 230 lekëve.

“Ato ditë mund të vëreje numrin e ulët të makinave që qarkullonin. Edhe operatorët nga tregu me të cilët kemi mbajtur vazhdimisht kontakte, pohonin të njëjtën gjë”, shton ndër të tjera ai për Gazetasi.al.

Çmimet e naftës u rritën brenda një kohe të shkurtër si reflektim i situatës në tregjet europiane pas pushtimit rus të Ukrainës. Nga 192 deri në 194 lekë që tregtohej para nisjes së luftës,çmimi i naftës në 7 mars arriti në 230 lekë për litër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë